Nesër në orën 09:30 do të zhvillohet masa e sigurisë ndaj të arrestuarve që u kapën pas operacionit të SPAK ku dyshohet se janë përfshirë në trafik ndërkombëtar të kokainës, pastrim parash dhe sigurim kushtesh për vrasje.
Por përveç masës së sigurisë ish-zv/drejtori i Rendit në Policinë e Tiranës, Erzen Breçani, shefi i Krimeve në komisariatin nr. 6, Dedan Gjoni, Bujar Ajeti e Besmir Murati në seancën e nesërme do të merren në pyetje.
Në lidhje me këtë çështje është vendosur në detyrim paraqitje Jonida Babameto. Ndërkohë janë shpallur në kërkim Ervin Mata, Ismail Zeneli, Artan Sulejmani, Albert Prenga, Bajram Grabova dhe Eraldi Breçani.
Zbërthimi i mesazheve në ‘Sky-ECC çoi në goditjen e grupit kriminal që rezulton të jetë i përfshirë në trafiqe të drogës nga Amerika Latine në Europë, si dhe në ngjarje kriminale të ndodhura në Shqipëri.
Gjatë bisedimeve në Sky ECC, Ervin Mata komunikon në gjuhë të huaj dhe nga biseda e zhvilluar dyshohet se ka trafikuar një sasi prej 250 kg lëndë narkotike nga Brazili për në aeroportin e Frankfurtit në Gjermani.
Gjatë bisedës Ervin Mata u tregon bashkëpunëtorëve të tij se i është sekuestruar sasia prej 240 kg kokainë, në aeroportin e Frankfurtit.
– ”Rezulton se në muajin shtator 2020, përdoruesi i SkyECC GS4TDD, i identifikuar si Ervin Luan Mata, bashkëbisedon në gjuhë të huaj në grup chat-in e emërtuar 6H06SK:57. Nga biseda e zhvilluar dyshohet se ky shtetas në bashkëpunim me përdorues të tjerë SkyECC, pjesëmarrës në grup chat, kanë trafikuar një sasi prej 250 kg lëndë narkotike kokainë nga Brazili për në aeroportin e Frankfurt am Main-Gjermani.
Lidhur me këtë bisedë, evidentohen edhe biseda të datës 29.09.2020 me përdorues të tjerë shqipfolës, ku shtetasi Ervin Mata i tregon që i janë kapur dhe sekuestruar një sasi prej 240 kg, sasi e cila lidhur me problematikën e nxjerrjes nga aeroporti dhe mbërritjen në Frankfurt diskuton edhe në grup chat-in 6H06SK:57.
10.6.2. Me datë 29.09.2020, në or 140914 shtetasi Ervin Mata duke përdorur GS4TDD, komunikon me përdoruesin e paidentifikuar AOSHUI dhe i tregon që i janë kapur një sasi prej 240 kg në Frankfurt dhe të ‘presë nesër që të dalë në gazetë’.
Ata shkëmbejnë mesazhet:
“…Ili un e shes me 35…
“Ramazanit ma ka pagu 34. Ato mund ta dun dhe ner heletik Pom!’- thuhet në pjesën nga dosja e siguruar.