Sot është shënuar 1-vjetori i vdekjes së aktivistit Astrit Deharit. Me pankartat “Drejtësi për Astritin”, aktivistë të Vetëvendosjes kanë marshuar duke protestuar para ndërtesës së qeverisë, madje disa prej tyre kanë thyer disa xhama.
Po ashtu, protestuesit i dhënë “ultimatum” qeverisë me anë të një mbishkrimi në godinën e qeverisë që të zbardhë vdekjen e Deharit deri më 5 shkurt 2018.
Deputeti Albin Kurti ka folur para protestuesve teksa ka shprehur kërkesën e tij për shkarkimin e zyrtarëve, që sipas tij janë përgjegjës dhe që do e pengonin hetimin.
Kështu, Kurti përmendi emra, teksa kërkoi shkarkimin e Dhurata Hoxhës, Shpend Maxhunit, Nexhmi Krasniqit, Fatos Makollit, Sylë Hoxhës, Metush Birajt dhe Abdurrahim Islamit.
“Rënia dëshmor e Astritit dëshmon se po sundohemi nga një kastë e dhunshme kriminelesh që e kanë uzurpuar lirinë, të cilët vjedhin dhe shesin pasurinë tonë. Ata e kanë braktisur kombin për t’u bërë mafiozë milionerë, ata e kanë kapur policinë, hetuesinë, prokurorinë dhe gjykatën, ata po e shfrytëzojnë popullin tonë dhe ata janë të gjithë fajtorë për mbytjen e Astritit në burg.
Ne patëm nevojë të kishim pranë Astritin, shokun tonë të dashur, patëm nevojë për studentin që nesër do të bëhej mjek që aq shumë ka nevojë Kosova. Astritin nuk na mori sëmundja apo aksidenti, Astritin na mori padrejtësia të cilën ai e luftonte me gjithë qenien e tij si çdo aktivist i njëmend që nuk i ndjek idetë në mënyrë abstrakte por që i mishëron ato dhe i lufton ato ditë e natë dhe kudo. Një vit më parë Astriti është bërë dëshmori më i ri i Kosovës dhe i shqiptarisë. Ndonjë cinik mund të pyet e çfarë nevoje patëm për një dëshmor ne shqiptarët, e pyetja qëndron njëmend pas luftës çlirimtare përse ka nevojë të ketë montime akuzash politike, burgosje, vrasje në burgje”, tha Kurti.
Ndërkohë, me rastin e 1-vjetorit të vdekjes së aktivistit ka reaguar edhe kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, i cili tha se do të realizohentë gjitha kërkesat e familjes Dehari.
Përmes një postimi në Facebook, Haradinaj u zotua se qeveria e tij do të bëjë gjithçka që ky rast të zbardhet.
“EDHE UNË JAM ASTRITI
Bashkëndjejë me familjarë, miq, e kolegë të familjes Dehari e poashtu edhe qytetarë të cilët po protestojnë sot në kërkim të ndriçimit të rastit Dehari.
Si Kryeministër, zotohem se Qeveria e Kosovës me kapacitetet e saj do të bëjë gjithçka që ky rast të ndriçohet. Çdo kërkesë e familjes Dehari do të realizohet. Drejtësia për Astritin do të ndodhë!
RH”, shkroi ai në Facebook.