Shefi ekzekutiv i ‘Pelagic Research Services’ e njëkohësisht njeriu që drejtoi ekipin që gjeti mbetjen e nëndetëses ‘Titan’ Ed Cassano, ka dhënë një deklaratë të shkurtër sa i takon të gjithë operacionit të kërkimit.
Ai tha se ekipi i tij u vu në lëvizje më 18 Qershor, menjëherë pasi nëndetësja u zhduk.
“E thjeshtë, ne ishim fokusuar në operacionin e shpëtimit”, tha ai. Kompania e tij dërgoi mjete dhe disa zhytës për të zbuluar mbetjet.
“Ne ishim gjithmonë të vetëdijshëm për anëtarët që ndodhesin në anijen Titan,” tha për mediat Ed Cassano.
Megjithatë, kur automjeti i drejtuar nga distanca në thellësi të Oqeanit mbërriti në vendin e mbytjes së Titanikut, 90 minuta pas nisjes së tij, shpresat për një shpëtim nuk zgjatën shumë, shpjegoi zoti Cassano.
‘Menjëherë pasi mbërritëm në fund të detit, zbuluam mbetjet e Titan’, shton ai. Në një moment, ai psherëtin dhe mezi mban lotët pasi për të ishte një punë e lodhshme kërkimore që kishte si rezultat një fatkeqësi të madhe.
“Më falni, ende se kemi marrë veten, shumë emocione! Njerëzit janë lodhur.”- u shpreh ai.