E veja e Charlie Kirk, Erika, ka mbajtur një fjalim plot lot në të cilin falënderoi ekipet e ndihmës së shpejtë që u përpoqën t’i shpëtonin jetën burrit të saj, pasi ai u qëllua për vdekje në një kampus universitar në Utah.
Në një transmetim të drejtpërdrejtë, duke qëndruar pranë karriges bosh të burrit të saj që ai e përdorte gjatë regjistrimeve të podkasteve, ajo citoi Biblën dhe foli për dashurinë e tij për Presidentin Donald Trump, Zëvendëspresidentin JD Vance, Shtetet e Bashkuara dhe dy fëmijët e çiftit.
Kirk, një aktivist i krahut të djathtë, u qëllua për vdekje të mërkurën gjatë një aktiviteti në ajër të hapur në Orem të Utah. Vrasësi i dyshuar i tij, Tyler Robinson, u arrestua të enjten në mbrëmje pasi iu dorëzua policisë.
Në fjalën e saj, znj. Kirk u zotua: “Zëri i burrit tim do të mbetet.”
Transmetimi nga selia qendrore e Turning Point USA në Arizona filloi me disa minuta heshtje, ndërsa kamera filmoi karrigen bosh të Charlie Kirk.
Ndërsa e veja e tij filloi të fliste, ajo ngriti sytë lart dhe pëshpëriti një lutje në heshtje.
Më pas ajo falënderoi ndihmësit e parë që u përpoqën ta shpëtonin atë, stafin e bashkëshortit të saj dhe Shtëpinë e Bardhë.
Z. President, im shoq ju donte. Dhe ai e dinte që edhe ju e donit atë”, tha ajo me lot në sy, duke falënderuar gjithashtu Vance-in dhe gruan e tij Usha që shoqëruan arkivolin përsëri në Arizona.
“Por mbi të gjitha, Çarli i donte fëmijët e tij. Dhe më donte mua. Me gjithë zemër. Dhe sigurohej që unë ta dija këtë çdo ditë.”
Duke iu drejtuar “keqbërësve”, znj. Kirk tha: “Nuk e keni idenë se çfarë zjarri keni ndezur brenda kësaj gruaje, britmat e kësaj vejushe do të jehojnë në të gjithë botën si një britmë beteje.”
“Të gjithë duhet ta dinë këtë: nëse mendonit se misioni i burrit tim ishte i fuqishëm më parë, nuk keni idenë, nuk keni idenë se çfarë keni lëshuar në të gjithë këtë vend dhe këtë botë.”
Znj. Kirk foli gjithashtu për djalin e tyre njëvjeçar dhe vajzën trevjeçare, duke thënë se nuk dinte si ta shpjegonte vdekjen e papritur të babait të tyre.
“Zemër, babi të do shumë. Mos u shqetëso. Ai është në një udhëtim pune me Jezusin,” i tha ajo vajzës së tyre.
Zonja Kirk, 36 vjeç, dhe fëmijët e tyre thuhet se ishin në audiencë kur u qëllua me armë zjarri bashkëshorti i saj.