Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, i ka dhënë Hamasit një afat të prerë për të pranuar planin për paqe të hartuar nga SHBA-ja për Gazën, i cili është dakordësuar mes tij dhe kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu.
Në një postim të bërë këtë të premte në platformën e tij Truth Social, Trump theksoi se marrëveshja duhet të pranohet deri të dielën në orën 18:00 sipas kohës së Uashingtonit. Plani parashikon një ndërprerje të menjëhershme të luftimeve dhe lirimin brenda 72 orëve të 20 pengjeve izraelite që mbahen nga Hamasi, si dhe dorëzimin e mbetjeve të pengjeve të supozuara të vdekur, në këmbim të lirimit të qindra banorëve palestinezë të Gazës që ndodhen në paraburgim.