Gjigandi francez i energjisë “TotalEnergies”, njoftoi sot se do të pezullojë, ose është në proces pezullimi, të prodhimit që përfaqëson rreth 15% të prodhimit të tij global të naftës dhe gazit natyror në disa vende të Gjirit.
“Prodhimi është ndalur ose është në proces ndalimi në Katar, Irak dhe në zonat detare të Emirateve të Bashkuara Arabe, gjë që përfaqëson rreth 15% të prodhimit tonë total”, deklaroi kompania në një njoftim zyrtar.
Grupi sqaroi për Agjencinë Franceze të Lajmeve (AFP) se masa lidhet si me prodhimin e naftës ashtu edhe me atë të gazit natyror.
Kompania bëri të ditur gjithashtu se rritja e çmimit të naftës mund të ndihmojë në kompensimin në masë të madhe të humbjeve të prodhimit në Lindjen e Mesme.
Kjo u theksua në një deklaratë në anglisht të publikuar në faqen zyrtare të saj, si përgjigje ndaj kërkesave të disa aksionarëve lidhur me nivelin e ekspozimit të kompanisë në rajonin e Lindjes së Mesme.















