Tirana do të mbyllë fazën përgatitore të verës me gjashtë miqësore, ndërsa rezultati sportiv është shumë më pak domethënës sesa ajo që kanë treguar bardheblutë në fushë.
Një fitore, tre barazime dhe dy humbje, ndërkohë që deri tani mesatarja e golave për ndeshje (1.8 të shënuar dhe 1.8 të pësuar) tregon qartë se skuadra ende nuk ka gjetur ekuilibrat e duhur.
START ME HUMBJE Gjithçka nisi më 19 korrik me humbjen 2-3 ndaj FC Lirisë në “Skënder Halili”, ku ekipi i drejtuar nga Klodian Duro shfrytëzoi dobësitë në mbrojtjen e Tiranës. Patsatsia dhe Tabaku shënuan për bardheblutë në një duel me shumë rotacione dhe mungesë stabiliteti. Më pas, barazimi 1-1 në Fushë-Krujë ndaj Ilirisë tregoi një përmirësim në lojë, por jo në konkretizim. Goli i Tolës nga distanca ishte momenti më i bukur i takimit, ndërsa barazimi erdhi pas pushimit nga vendasit.
PANSERRAIKOS, NJË TJETËR BARAZIM Në testin ndaj Panserraikosit, Tirana barazoi 2-2 pas një loje dinamike, ku sulmi prodhoi, por mbrojtja sërish nuk u tregua solide. Rotacionet e shumta dhe mungesa e komunikimit në prapavijë ishin sërish evidente.
ELBASANI “GODET” SËRISH Në takimin ndaj Elbasanit më 3 gusht në Greqi, Tirana kaloi në avantazh që në minutën e 3-të me Patsatsian, por verdheblutë përmbysën gjithçka në pjesën e dytë. Tabaku humbi penalltinë e barazimit, duke konfirmuar edhe një herë problemet në momentet vendimtare.
EORDAIKOS, SHFRYRJA E PARË Fitorja 3-1 ndaj Eordaikosit ishte pika më e ndritshme e kësaj faze. Bastari, Doka dhe Haxhiu firmosën një sukses të pastër, duke i dhënë trajnerit Mile një pasqyrë më pozitive për ecurinë e ekipit. Mbrojtja u shfaq më e kujdesshme, ndërsa faza ofensive ishte shumë më efikase.
FINALJA E PËRGATITJEVE Tirana do të luajë miqësoren e fundit më 9 gusht ndaj Kallamatës në Greqi. Ky duel pritet të jetë më shumë se një test. Një përballje ku pritet të zbulohet formacioni i parë, filozofia taktike dhe përgatitja finale për sezonin.
STATISTIKAT Golat janë aty, por mbrojtja “çalon” Ky barazpeshim i golave tregon se Tirana ka potencial për të shënuar, por ka shumë për të rregulluar në mbrojtje, sidomos në ndërprerjet dhe në tranzicion.
ÇFARË PRITET? Pas përfundimit të këtij turi grek, drejtuesit dhe trajneri Vangjel Mile do të kenë në dorë një pasqyrë më të qartë mbi gjendjen e skuadrës. Me shumë të rinj të afruar dhe disa pika kyçe ende në kolaudim, skuadra ka nevojë për konsolidim të menjëhershëm për të qenë gati në javën e parë të kampionatit.