Rusia ka vijuar sulmet ajrore në Ukrainë, ku në Kiev raportohet për 6 të vdekur, përfshirë dy fëmijë. Njëri prej personave u vra në rrethin e Dnipros, ku një zjarr shpërtheu në katet e tetë dhe të nëntë të një ndërtese banimi pas një sulmi rus. Ndërkohë të paktën 13 të tjerë u plagosën në Zaporizhzhia, sipas autoriteteve lokale.
Këtë mëngjes, rusët nisën një sulm me dron në Kharkiv, duke goditur një çerdhe private në qytet dhe duke plagosur disa fëmijë.
Nga ana tjetër, edhe forcat ukrainase kanë kryer një sulm gjatë 24 orëve të fundit në uzinën kimike të Bryansk, në jugperëndim të Moskës, një strukturë kyçe brenda kompleksit ushtarako-industrial të Rusisë. Mediat ukrainase thanë se bëhet fjalë për një “sulm të kombinuar ajror dhe raketor në shkallë të gjerë” që përdori gjithashtu raketa kruizi të drejtuara me rreze të gjatë veprimi Storm Shadow të lëshuara nga avionët. Shtabi i Përgjithshëm ukrainas tha se dëmi në uzinën e Bryansk ishte masiv.
“Uzina kimike e Bryansk është një pjesë e rëndësishme e industrisë ruse të mbrojtjes. Uzina prodhon barut, eksplozivë dhe përbërës të karburantit të raketave që përdoren në municione dhe raketa që Rusia përdor për të sulmuar Ukrainën”, raportoi Ukrinform.