Bora dhe shiu i rrëmbyeshëm në shpatet tibetiane të Himalajeve, pranë malit Everest, kanë shkaktuar kaos dhe bllokimin e qindra alpinistëve që ndodheshin në kampe të përkohshme në zonë.
Sipas mediave shtetërore kineze, deri tani janë evakuuar 350 persona në vende të sigurta në një vendbanim lokal, ndërsa mbi 200 të tjerë janë kontaktuar dhe po priten për t’u shpëtuar.
Fillimisht u raportua se rreth 1,000 alpinistë kishin mbetur të bllokuar pas reshjeve ekstreme që nisën të premten në mbrëmje dhe vazhduan deri të shtunën, në luginën e Karmës, e cila çon në faqen lindore të Everestit.
Everesti, maja më e lartë në botë me 8,849 metra lartësi, është një prej destinacioneve më të njohura për alpinistët, por ngjitja e tij mbetet jashtëzakonisht e rrezikshme. Reshjet e borës e kanë bërë të pakalueshme zonën për qindra vizitorë dhe udhëtime janë anuluar.