Kryeministri i Spanjës, Pedro Sánchez, ka shpallur tre ditë zie kombëtare në nderim të viktimave të aksidentit tragjik hekurudhor, ku humbën jetën të paktën 40 persona. Ai premtoi gjithashtu një hetim të plotë për të zbardhur shkaqet e përplasjes së dy trenave me shpejtësi të lartë në jug të vendit.
Më shumë se 120 persona të tjerë mbetën të plagosur, pasi vagonët e një treni që udhëtonte drejt Madridit dolën nga shinat dhe kaluan në binarin e kundërt, duke u përplasur me një tren tjetër që vinte përballë, pranë qytetit Adamuz, mbrëmjen e së dielës.
Aksidenti konsiderohet më i rëndi në Spanjë në më shumë se një dekadë. Operatori i rrjetit hekurudhor, Adif, njoftoi se përplasja ndodhi rreth orës 19:45 me orën lokale (18:45 GMT), rreth një orë pasi një nga trenat ishte nisur nga Malaga drejt Madridit. Treni doli nga shinat në një segment të drejtë të linjës, pranë qytetit të Kordobës.
Sipas ministrit të Transportit, Óscar Puente, forca e përplasjes shtyu vagonët e trenit të dytë drejt një argjinature. Ai shtoi se shumica e viktimave dhe të plagosurve ndodheshin në vagonët e përparmë të trenit që udhëtonte nga Madridi drejt Huelvës.
Ekipet e shpëtimit bënë me dije se rrënojat e shtrembëruara të trenave e kanë bërë jashtëzakonisht të vështirë nxjerrjen e personave të bllokuar brenda vagonëve.















