Shtetet e Bashkuara vendosën veton në Këshillin e Sigurimit të OKB-së ndaj një projekt-rezolute që kërkonte një armëpushim të menjëhershëm, të përhershëm dhe pa kushte në Rripin e Gazës, pavarësisht mbështetjes nga 14 nga 15 vendet anëtare të Këshillit.
Projekt-rezoluta bënte thirrje për heqjen e menjëhershme dhe të pakushtëzuar të të gjitha kufizimeve ndaj ndihmës humanitare në Gaza, si dhe shpërndarjen e saj në mënyrë të sigurt dhe pa pengesa. Gjithashtu, ajo kërkonte lirimin e menjëhershëm, dinjitoz dhe pa kushte të të gjithë pengjeve të mbajtura nga Hamasi.
Përfaqësuesi i SHBA-së në OKB deklaroi se vendimi për veton u mor për shkak se projekt-rezoluta nuk përfshinte një dënim të drejtpërdrejtë ndaj Hamasit dhe, sipas tij, “tërhiqte një paralele të rreme mes Izraelit dhe Hamasit”.
Ndërkohë, kancelari gjerman Friedrich Merz theksoi se Gjermania nuk e konsideron situatën në Gaza si gjenocid.
“Ne nuk e ndajmë qëndrimin e qeverisë izraelite se kjo do të arrijë qëllimin e eliminimit të Hamasit në një mënyrë të qëndrueshme. Prandaj, ne ndajmë kritikat ndaj metodës, por nuk e ndajmë përkufizimin e gjenocidit”, tha kancelari gjerman Friedrich Merz në një konferencë shtypi me kryeministrin spanjoll Pedro Sanchez në Madrid.
Kjo është hera e gjashtë që SHBA përdor të drejtën e vetos për të bllokuar një rezolutë lidhur me situatën në Gaza, që prej shpërthimit të luftës mes Izraelit dhe Hamasit, pothuajse dy vite më parë.