Administrata e presidentit Donald Trump nuk po e zbut qëndrimin ndaj regjimit të Nicolas Maduros. Pentagoni ka njoftuar dislokimin e aeroplanmbajtëses “USS Gerald R. Ford” në zonën e komandës për Amerikën e Jugut, duke shënuar kështu një forcim të dukshëm të pranisë ushtarake amerikane në rajon.
Sipas një deklarate të Komandës Jugore të SHBA-ve (Southcom), “Grupi aeronaval ‘Gerald R. Ford’, i udhëhequr nga aeroplanmbajtësja më e madhe në botë, ‘USS Gerald R. Ford’, ka hyrë më 11 nëntor në zonën e përgjegjësisë së Southcom”.
Në të njëjtën deklaratë thuhet se dislokimi i këtij grupi ka për qëllim “zbatimin e urdhrit të presidentit për çmontimin e organizatave kriminale transnacionale dhe luftimin e narkoterrorizmit në mbrojtje të atdheut”.
“USS Gerald R. Ford” mban në bord katër skuadrone avionësh luftarakë F/A-18E Super Hornet dhe shoqërohet nga tre shkatërrues me raketa drejtuese, ndër të tjera.
Në reagim, Ministria e Mbrojtjes së Venezuelës ka njoftuar nisjen e një “dislokimi masiv të forcave tokësore, detare, lumore, ajrore dhe raketore”, në kuadër të një “plani për mbrojtjen e sovranitetit” kombëtar, si përgjigje ndaj “veprimeve ushtarake dhe kërcënimeve imperialiste” të Shteteve të Bashkuara.
Në një komunikatë zyrtare, ministria bëri të ditur se stërvitjet janë urdhëruar nga vetë presidenti Nicolas Maduro dhe po zhvillohen në të gjithë territorin kombëtar, me synimin për të garantuar “koordinimin e mobilizimit”, në të cilin përfshihen edhe milicitë civile.
Ndërkohë, Mbretëria e Bashkuar thuhet se ka pezulluar ndarjen e informacioneve të inteligjencës me Shtetet e Bashkuara, që lidhen me anijet në Karaibe të dyshuara, pa prova për përfshirje në trafikun e drogës. Sipas burimeve të CNN, Londra druhet se këto të dhëna mund të përdoren për të justifikuar sulme ushtarake që shkelin të drejtën ndërkombëtare. Kjo lëvizje përbën një çarje të rëndësishme në marrëdhëniet mes Londrës dhe Uashingtonit, aleatë historikë në luftën kundër narkotrafikut.
Tradicionalisht, anijet e dyshuara janë ndaluar nga policia detare, ekuipazhi është arrestuar dhe ngarkesa e drogës është sekuestruar. Por sipas burimeve britanike, sulmet ushtarake të nisura në shtator, që kanë shkaktuar vdekjen e 76 personave, konsiderohen nga Londra të paligjshme.
Pezullimi i shkëmbimit të të dhënave mes dy vendeve thuhet se ka nisur më shumë se një muaj më parë.















