Vendimi i marrë një ditë më parë nga Gjykata Kushtetuese, pas votimit për rrëzimin e kërkesës së kryeministrit Edi Rama lidhur me pezullimin nga detyra të zëvendëskryeministres Belinda Balluku, ka marrë jehonë edhe në mediat ndërkombëtare.
E përditshmja franceze “Le Figaro” shkruan se Balluku akuzohet për abuzim me tendera, konkretisht në projektin e tunelit të Llogarasë, si edhe për shkelje të dyshuara në disa lote të Unazës së Madhe të Tiranës.
Sipas medias franceze, Balluku, e cila është pjesë e qeverisë që prej vitit 2019, dyshohet për favorizim në prokurime publike, përfshirë ndërtimin e një tuneli prej 5.9 kilometrash në jug të vendit.
“Le Figaro” thekson se lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit është një nga kushtet kryesore për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian, duke përmendur se disa ministra të qeverisë Rama kanë qenë objekt hetimesh nga sistemi i drejtësisë për çështje korrupsioni.
Gjykata Kushtetuese mbështeti të premten vendimin e gjykatës speciale, e cila kishte vendosur pezullimin nga detyra të Belinda Ballukut më 20 nëntor, si dhe një ndalim udhëtimi brenda vendit. Më herët, në dhjetor, ajo ishte lejuar të rikthehej përkohësisht në detyrë në pritje të vendimit përfundimtar.
Belinda Balluku i ka mohuar akuzat, duke deklaruar se do të bashkëpunojë me drejtësinë, ndërsa kryeministri Edi Rama e ka cilësuar çështjen si ndërhyrje në pavarësinë e pushtetit ekzekutiv.















