Kancelari gjerman Olaf Scholtz shprehu gjithashtu dënimin e tij të qartë për sulmin e tmerrshëm terrorist kundër spektatorëve të pafajshëm në një koncert në Moskë, i cili mori jetën e 115 njerëzve.
“Ne po mendojmë për familjet e viktimave dhe të gjithë të lënduarit”, tha Scholtz në një mesazh të postuar në rrjetet sociale X.
Nga ana e saj, ministrja e Jashtme gjermane, Analena Berbock tha se dënon terrorizmin frikacak dhe çnjerëzor, kudo që është, duke deklaruar se qëndron pranë familjeve të viktimave.
“Njerëz të pafajshëm që thjesht donin të shkonin në një koncert rock u vranë me gjakftohtësi,” tha ajo në një postim në X. “E gjithë zemra jonë është me popullin e Rusisë,” shtoi ajo.
Ministri gjerman i Financave Robert Habeck shprehu gjithashtu ngushëllimet e tij për viktimat dhe familjet e tyre dhe bëri thirrje që të hidhet dritë sa më shpejt mbi këtë sulm.
Edhe sekretari i jashtëm i Britanisë dënoi në termat më të ashpër të mundshëm sulmin terrorist vdekjeprurës të kryer pranë Moskës.
“Britania dënon në termat më të ashpër të mundshëm sulmin terrorist vdekjeprurës”, tha David Cameron në një postim gjithashtu në platformën X. “Ne shprehim ngushëllimet tona të sinqerta për familjet e viktimave të shumta. Asgjë nuk e justifikon një akt të tillë dhune”, shtoi ai.
Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, dënoi sulmin terrorist në Moskë dhe shprehu ngushëllimet e tij për familjet e viktimave.
“Dënoj sulmin e tmerrshëm terrorist në Moskë. Humbja e jetëve të pafajshme kudo është një tragjedi njerëzore dhe ngushëllimet e mia shkojnë për viktimat dhe familjet e tyre”, thotë Presidenti i Këshillit Evropian, në një postim në X.