Propozimin e SHBA-së për mbarimin e luftës në Ukrainë e diskutuan presidenti i Turqisë, Rexhep Tajip Erdogan, me homologun e tij rus, Vladimir Putin, siç njoftoi Kremlini.
“Vladimir Putin vuri në dukje se këto propozime, siç i kemi shqyrtuar, janë në përputhje me diskutimet e samitit ruso-amerikan në Alaskë dhe, në parim, mund të përdoren si bazë për një zgjidhje përfundimtare paqësore”, tha njoftoi Kremlini.
“U konfirmua interesi i palës ruse për një zgjidhje politike dhe diplomatike të krizës ukrainase”, raportoi më tej Kremlini.
Erdogan i tha Putin se është gati të mbështesë procesin në çdo mënyrë dhe propozoi Stambollin, ku të dyja palët zhvilluan tre raunde bisedimesh paqësore më herët këtë vit si vend për zhvillimin e negociatave, sipas Kremlinit.
Sipas presidencës turke, gjatë komunikimit telefonik u diskutuan marrëdhëniet dypalëshe Turqi-Rusi, lufta mes Rusisë dhe Ukrainës, si dhe çështje rajonale dhe globale.
Erdogan, sipas të njëjtave burime, i tha presidentit rus se Turqia do të kontribuojë në çdo përpjekje diplomatike për të lehtësuar komunikimin e drejtpërdrejtë mes Rusisë dhe Ukrainës dhe për të arritur një «paqe të drejtë dhe të qëndrueshme».
Presidenti turk u takua të mërkurën e kaluar edhe me presidentin ukrainas Volodimir Zelenski, duke diskutuar ringjalljen e bisedimeve paqësore mes Moskës dhe Kievit, siç transmetoi Reuters.
“Ne besojmë se do të ishte përfitueshme të riaktivizohet procesi i Stambollit me një qasje më të plotë që trajton problemet» tha Erdogan, duke shtuar se Ankaraja është e gatshme të diskutojë me Rusinë propozime që mund të çojnë në paqe të qëndrueshme dhe se është e rëndësishme që Shtetet e Bashkuara të marrin pjesë në proces.















