Një gazetar investigativ kroat ka paraqitur një kallëzim penal në Prokurorinë e Milanos ndaj presidentit serb Aleksandar Vuçiç, për dyshime mbi përfshirjen e tij në të ashtuquajturën çështje “Sarajevo Safari”.
Sipas akuzave, gjatë rrethimit katërvjeçar të Sarajevës në vitet ’90, snajperë nga Italia dhe vende të tjera të Evropës udhëtonin drejt Bosnjës për të qëlluar mbi civilët, pasi paguanin shuma të mëdha parash.
Prokuroria italiane ka hapur një hetim për identifikimin e shtetasve italianë që dyshohen për vrasje me dashje dhe rrethana rënduese. Sipas hetuesve, këta “turistë snajperë” paguanin ushtarë të ushtrisë së Radovan Karaxhiçit për t’i shoqëruar në kodrat përreth Sarajevës, prej nga qëllonin mbi popullatën civile.
Gjatë rrethimit të Sarajevës, 1992–1996, mbi 10 mijë persona u vranë nga predhat dhe snajperët, në rrethimin më të gjatë në historinë moderne. Snajperët mbillnin terror në përditshmërinë e qytetit, duke qëlluar pa dallim, përfshirë edhe fëmijë.
Hetimi në Itali nisi pas një padie të shkrimtarit Ezio Gavazzeni dhe një raporti të ish-kryetares së Bashkisë së Sarajevës, Benjamina Kariç. Së fundmi, gazetari kroat Domagoj Margetić dorëzoi edhe ai një kallëzim ndaj Vuçiçit, duke publikuar në rrjetet sociale materiale që sipas tij tregojnë se presidenti serb, atëherë vullnetar i ri, ka qenë i pranishëm në një prej pikave nga ku dyshohet se shtetas të huaj dhe njësi ultranacionaliste serbe qëllonin mbi civilët.
Gavazzeni thotë se këtë aktivitet makabër dyshohet se e kanë praktikuar shumë italianë dhe shtetas të tjerë perëndimorë që paguanin për “përvojën”.
“Nuk kishte motiv politik apo fetar. Ishin njerëz të pasur që kërkonin adrenalinë dhe pëlqenin armët,” deklaroi ai.
Vuçiç nuk ka komentuar akuzat e reja. Në një intervistë të vitit 2021, ai mohoi kategorikisht se kishte qëlluar drejt Sarajevës, duke i quajtur këto pretendime manipulime politike.










