Prokurorët polakë kanë ngritur akuza ndaj dy shtetasve rusë, të cilët dyshohen për spiunazh dhe për lidhje me inteligjencat ruse.
Këta dy shtetas mendohen të kenë kaluar informacione drejt strukturave të inteligjencës ruse, të cilat mund të shkaktojnë dëme në Republikën e Polonisë.
Ndërkaq, ata janë identifikuar si Igor R dhe Irina R.
Gjitashtu prokurorët e akuzojnë Igor R. se ka bashkëpunuar me dy shtetas të tjerë ukrainas për transportimin e një pakoje me eksplozivë nëpërmjet një korrieri në muajin korrik 2024.
“Paketa përmbante pajisje dhe materiale shpërthyese në formën e nitroglicerinës, si dhe detonatorë elektrikë të nivelit ushtarak dhe pajisje ndezëse të fshehura”, thuhej në deklaratën e prokurorit.
Më pas në shtator, janë ngritur akuza për një grup prej 15 personash të dyshuar për pjesëmarrje në një operacion të mbështetur nga Rusia. Operacion i cili planifikonte sulme zjarrëvënëse në të gjithë Europën përmes korrierëve.
Zyrtarët polakë thonë se vendi është shënjestër e spiunazhit dhe sulmeve të luftës hibride të iniciuara nga Moska, të cilat janë bërë më serioze që nga pushtimi i plotë i Ukrainës nga Rusia në shkurt të vitit 2022.
Më herët këtë vit, ministria e brendshme e Polonisë tha se ABW kishte ndaluar të paktën 44 persona nën dyshimin për spiunazh ose sabotim për Rusinë ose Bjellorusinë në Poloni që nga fillimi i luftës së përgjithshme.
Moska i ka mohuar vazhdimisht akuza të tilla, pavarësisht një mori provash dhe çështjesh gjyqësore që vërtetojnë të kundërtën.