Polonia paralajmëroi sot presidentin rus, Vladimir Putin për rrezikun e fluturimit të tij në hapësirën ajrore polake – për të marrë pjesë ne samitin e planifikuar në Hungari me presidentin e SHBA-së, Donald Trump – duke thënë se mund të detyrohej të ekzekutonte urdhërarrestin ndërkombëtar nëse ai do ta bënte këtë udhëtim, sipas “Reuters”.
Megjithatë, Bullgaria do të ishte e gatshme ta lejonte Putinin të përdorte hapësirën e saj ajrore nëse samiti zhvillohet në Hungari, sipas një deklarate të ministrit te Jashtëm, Georg Georgiev.
Trump tha javën e kaluar se kishte planifikuar të takohej me Putinin në kryeqytetin hungarez, Budapest, si pjesë e përpjekjeve të tij për të ndërmjetësuar përfundimin e luftës në Ukrainë.
Gjykata Ndërkombëtare Penale, me seli në Hagë, lëshoi një urdhërarrest kundër Putinit në vitin 2023, duke e akuzuar atë për krime lufte, deportimin e paligjshëm të qindra fëmijëve nga Ukraina. Rusia nuk e njeh juridiksionin e GJND-së dhe i ka hedhur poshtë akuzat.
“Nuk mund të garantoj se një gjykatë e pavarur polake nuk do ta urdhërojë qeverinë të shoqërojë një aeroplan të tillë për të dorëzuar të dyshuarin në gjykatën në Hagë”, tha ministri i Jashtëm i Polonisë, Radosław Sikorski.
Urdhërarresti i GJND-së i detyron shtetet anëtare të gjykatës të arrestojnë Putinin, nëse ai shkel në territorin e tyre.
Kryeministri hungarez, Viktor Orban – i cili mban marrëdhënie të ngrohta me Rusinë – tha më herët se do të siguronte që Putini të mund të hynte në vend për samitin dhe të kthehej në shtëpi më pas.
Megjithatë, për të shmangur fluturimin mbi Ukrainë, delegacioni rus do të duhet të kalojë në hapësirën ajrore të të paktën një vendi të Bashkimit Evropian.
Të gjitha vendet e BE-së janë anëtare të GJPN-së, megjithëse Hungaria është në proces të largimit nga gjykata.
Polonia, anëtare e NATO-s, ka qenë ndër mbështetëset më të vendosura të Kievit pas pushtimit të plotë të Ukrainës nga Rusia në vitin 2022.















