Aksidenti ndodhi pranë Lynden, jo shumë larg kufirit kanadez, kur kamioni që transportonte koshere bletësh u përmbys në një kanal.
Një kamion me 250 milionë bletë është përmbysur në Uashington, SHBA. Aksidenti ndodhi pranë Lynden, jo shumë larg kufirit kanadez, kur kamioni që transportonte koshere bletësh u përmbys në një kanal. Siç raportohet kamioni ka dalë nga rruga pasi ka marrë një kthesë të gabuar.
Policia, shërbimet komunale dhe bletarët e shumtë vendas mbërritën shpejt në vendngjarje dhe filluan një operacion për të shpëtuar kosheret. Bëhet e ditur se për shkak të rrezikut nga pickimet, qytetarët janë këshilluar që të shmangin zonën.
Alan Woods, president i Shoqatës së Bletarëve të Uashingtonit, tha se shteti duhet të krijojë një protokoll të standardizuar për reagimin emergjent në situata të tilla. Ai paralajmëroi se incidente të tilla nuk janë të rralla për shembull, në vitin 2015, rreth 14 milionë bletë u arratisën nga një kamion në veri të Seattle dhe filluan të thumbojnë njerëzit.