Zgjedhjet e 28 dhjetorit tashmë i përkasin së shkuarës. Numërimi i votave është mbyllur dhe Kuvendi i ri i Kosovës ka marrë formë. Lëvizja Vetëvendosje ka dalë fituese me 57 ulëse, duke siguruar shumicën më të madhe parlamentare.
Pas kësaj fitoreje, fokusi i skenës politike nuk është më te kutitë e votimit, por te beteja e re që pritet të nisë shumë shpejt-zgjedhja e Presidentit të Kosovës.
Sipas përbërjes së re të Kuvendit, për zgjedhjen e Presidentit nevojiten dy të tretat e votave të deputetëve në dy raundet e para, ndërsa në raundin e tretë mjaftojnë 61 vota.
Me 57 ulëse, Vetëvendosje nuk i ka votat e mjaftueshme e vetme për ta zgjedhur Presidentin, çka e bën këtë proces një tjetër betejë politike, ku pritet përfshirja e opozitës dhe negociata intensive.
Ende nuk ka emra zyrtarë për kandidatin presidencial, por burime politike flasin se ditët në vijim do të sjellin propozime konkrete dhe një garë të fortë politike për këtë post kyç shtetëror.
Pra, nëse beteja për votat ka përfunduar, beteja për Presidentin sapo ka nisur dhe kjo pritet të jetë prova e parë serioze politike për Kuvendin e ri të Kosovës
Mes pritjes për institucione të reja dhe rrezikut të shkuarjes përsëri në zgjedhje, qindra miliona euro nga Bashkimi Evropian dhe dhjetëra miliona të tjera nga Banka Botërore mbeten ende të pashfrytëzueshme nga Kosova.
Mungesa e institucioneve të reja përgjatë 2025-tës ia pamundësoi shtetit përfitimin e 882 milionë eurove nga Plani për Reforma dhe Rritje i Bashkimit Evropian (BE) dhe të mbi 120 milionë eurove të tjera nga tri marrëveshje me Asociacionin Ndërkombëtar për Zhvillim (ANZH) të Bankës Botërore.















