Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i ka lartësuar të premten marrëdhëniet e vendit të saj me Turqinë, pas një takimi me presidentin turk, Recep Tayyip Erdogan, në Forumin e Diplomacisë në Antalia.
Në një postim në Facebook, Osmani tha se Turqia është dhe do të mbetet partnere e rëndësishme e Kosovës për paqen, sigurinë dhe zhvillimin rajonal.
“Marrëdhëniet tona janë më shumë se miqësi, janë një partneritet i ndërtuar mbi besim, respekt dhe vizion të përbashkët për të ardhmen”, tha ajo.
Të premten në Antalia nisi edicioni i katërt i Forumit dyditor të Diplomacisë, i organizuar nga Ministria e Punëve të Jashtme të Turqisë, nën patronazhin e Erdoganit.
Forumi këtë vit trajton temën “Rikthimi i Diplomacisë në një Botë të Fragmentuar”, e cila pasqyron nevojën urgjente që diplomacia të vihet në pah si forcë stabilizuese, mes rritjes së tensioneve globale.
Osmani e përshkroi Erdoganin si “lider që i qëndroi Kosovës pranë gjithmonë, në çdo sfidë e në çdo sukses”.
“Një mik i dëshmuar i Kosovës, një zë i fuqishëm për të drejtën tonë, dhe një shtyllë e fortë mbështetjeje në çdo etapë të shtetndërtimit tonë”, tha ajo.