Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, deklaroi sot se është në interes të Kosovës të ketë sa më parë një qeveri të re dhe me mandat të plotë kushtetues.
Nga ana tjetër, Osmani kritikoi partinë më të madhe të serbëve të Kosovës, Listën Serbe, se po përpiqet të sjellë pengesa në këtë drejtim.
“Ka pasur vonesa të jashtëzakonshme në krijimin e institucioneve, ky është edhe një tentim tjetër për vonesa, të cilat siç e dini e kanë dëmtuar interesin e Kosovës.
Janë bërë shumë muaj pa qeveri e cila do të kishte mandat të plotë kushtetues, sepse siç e dini me Ligjin për Qeveri, kompetencat e qeverisë në detyrë janë të limituara.
Është në interes të Kosovës që sa më parë, tash pasi Kuvendi është konstituuar në përpurthje me aktgjykimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese, që të kemi një qeveri me mandat të plotë.
Krijimi i qeverisë pastaj varet tërësisht nga koalicionet mes partive politike, dhe aty unë si presidente nuk mund të ndërhyjë, besoj mund t’i pyesni partitë deri ku kanë arritur me këtë çështje.
Por është në interes të të gjithë qytetarëve tanë pa dallim etnie e të kemi institucione me mandat të plotë kushtetues”, tha Osmani.
E pyetur nëse deri të dielën Kosova nuk do të ketë qeveri të re, a do të ketë zgjedhje, Osmani tha se nëse vendi shkon deri në atë situate, ka afate të caktuara për këtë çështje.
“Nëse vijmë deri te një situatë e tillë, ku as partia e parë dhe as kushdo që mund ta ketë mundësinë e dytë, sepse ajo është në diskrecion të institucionit të Presidencës, nuk arrijnë, atëherë janë afatet e caktuara me Kushtetutë dhe me aktgjykim të Gjykatës Kushtetuese, ka disa aktgjykime në fakt lidhur me këtë temë që e qartësojnë këtë çështje, por pastaj afati që jepet është 30 deri në 45 ditë dhe këtë datë unë do ta vendosë në përputhje me interesat e Kosovës dhe konsultimet me partitë politike.
Por, unë nuk do të ngutesha që të jap supozime se do të dështohet në krijimin e qeverisë, ka ende edhe pak kohë, ta shohim.
Shpresoj që do të ketë angazhim maksimal për krijimin e qeverisë së Kosovës sepse qytetarët kanë votuar me 9 shkurt që të kenë institucione e jo të kthehen në zgjedhje”, deklaroi më tej Osmani.
Ajo shmangu supozimet për dështimin e mundshëm të krijimit të qeverisë, duke thënë se ka ende kohë për negociata.
Për mungesën e angazhimit të partive për të siguruar votat, Osmani sugjeroi se mund të ketë zhvillime që nuk janë publike, duke lënë të hapur mundësinë e takimeve jozyrtare.
Në ankesën e saj, Lista Serbe kërkoi që gjykata të vendosë një masë të përkohshme, për të ndaluar, siç tha, “veprimet antikushtetuese që mund të shkaktojnë dëme të pakthyeshme”.
Gjykata më e lartë e vendit ende nuk ka vendosur rreth ankesës së Listës Serbe, por ka konfirmuar se e ka pranuar atë.
Kjo është hera e dytë që Lista Serbe ankohet në Kushtetuese për çështjen e nënkryetarit serb në muajt e fundit, pasi në gusht ishte ankuar kundër votimit ndaras.
Osmani tha se “vonesa që po tentohet të krijohet nga Lista Serbe dëmton interesat, jo vetëm të Kosovës si shtet, por të të gjithë qytetarëve, përfshirë edhe serbët”.