Flamuri i Republikës së Kosovës është vendosur para pak minutash në objektin e Komunës së Zveçanit. Flamuri i Serbisë është hequr prej godinës së komunës, një ditë pas hyrjes në zyrë të kryetarit të ri dhe tensioneve që shkaktuan reagim ndërkombëtar.
Objekti i Komunës së Zveçanit dhe komunave tjera veriore, janë duke u ruajtur nga Policia e Kosovës. Kryetari i Zveçanit, Ilir Peci ka arritur të futet dje në objektin e komunës, vetëm pas asistimit të Policisë.
Tensionet në veri të vendit u rritën pas betimit të kryetarëve të rinj, të cilët dje duhej ta fillonin punën në objektet përkatëse komunale.
Policia përdori gaz lotsjellës dhe shok-bomba për të shpërndarë disa qytetarë serbë që u mblodhën para ndërtesave komunale në veri të Kosovës, në përpjekje për të penguar hyrjen e kryetarëve të rinj shqiptarë në zyrat e tyre.
Ndaj këtyre zhvillimeve kanë reaguar ashpër ndërkombëtarët. Kryeministri Albin Kurti ka thënë se është i vetëdijshëm dhe se i kupton shqetësimet e ngritura nga partnerët ndërkombëtarë për zhvillimet e djeshme në veri, por se çdo opsion tjetër, do të ishte mos përmbushje e obligimeve.
Ai ka ftuar qytetarët serbë të Kosovës që të bashkëpunojnë me kryetarët e rinj dhe kabinetet e tyre.