Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Evis Sala, prezantoi këtë të mërkurë më 12 nëntor, në komisionin e Ekonomisë dhe Financave projektbuxhetin e vitit 2026 për sektorin e shëndetësisë dhe mirëqenies sociale, duke e cilësuar atë si fillimin e një etape të re zhvillimi për sistemin shëndetësor shqiptar.
“Në vitin 2026 shëndetësia dhe mirëqenia sociale shqiptare do të hyjnë në një etapë të re zhvillimi, me buxhetin më të madh, një buxhet prej 108.8 miliard lekësh, ose 12.3% të buxhetit të shtetit dhe 3.9% të prodhimit të brendshëm bruto.
Shëndetësia është një nga sektorët prioritar të qeverisë, siç evidentohet edhe nga niveli i financimit të parashikuar. Krahasuar me planifikimin buxhetor të vitit 2025 (104.5 miliard lekë) kemi një rritje prej 4.3 miliard lekë ose 4.2%.”, deklaroi ministrja.
Rritje pagash për mjekët, infermierët…
Më tej gjatë fjalës së saj, Sala foli për rritje pagash dhe mbështetje për profesionistët e Shëndetësisë. Sipas saj, në janar të vitit të ardhshëm, do të hyjë në fuqi rritja e pagave për rreth 4 mijë e 600 mjekë e farmacistë dhe 14 mijë e 200 teknikë e laborantë.
“Shpenzimet e skemës së sigurimeve të kujdesit shëndetësor (FSDKSH) për vitin 2026 janë parashikuar në masën 67.3 miliard lekë ose 7.6% të buxhetit të shtetit dhe 2.4% e GDP-së. Kjo është një rritje prej 4.2 miliardë lekë nga 63.1 miliard lekë të parashikuara për vitin 2025. Këtu përfshihet efekti financiar i rritjes së pagave në Janar 2026, si dhe rritja e vlerës për rimbursimin e barnave.
Investimet për të dy sektorët për vitin 2026 për MSHMS arrijnë në vlerë 4.2 miliardë lekë nga të cilat: 3.5 miliard lekë me financim të brendshëm dhe 0.7 miliard lekë investime me financim të huaj.
Në projektbuxhetin 2026 është përfshirë efekti i rritjes së pagave në Janar 2026, duke unifikuar llogaritjen e vjetërsisë në punë me një % të diferencuar nga 1 vit deri 30 vite punë, si edhe indeksimin e pagave me 2.5%. Efekti financiar për këtë politikë është rreth 2.4 miliardë lekë do të mbështesë rritjen e pagave për rreth 4,600 mjekë e farmacistë, si dhe 14,200 teknik të shkencave mjekësore e laborantë në sistemin shëndetësor. Prej vitit 2019, qeveria ka alokuar rreth 12.4 miliard lekë për rritjen e pagave në shëndetësi.”, tha Sala.
Sfidat sipas ministres Sala
Së pari, po përballemi me një popullate ku mosha mesatare vjen duke u rritur.
Së dyti, si rezultat i ndryshimeve demografike dhe zhvillimeve socio-ekonomike, kemi një rritje të sëmundjeve kronike si: sëmundjet e zemrës, sëmundjeve tumorale, sëmundjet e mushkërive dhe Alzheimer.
Së treti, përparimi galopant në teknologji, dixhitalizimi i sistemeve dhe përdorimi i Inteligjencës Artificiale, kërkojnë reformim të sistemit, për t’iu përgjigjur nevojave globale në shëndetësi.
“Buxheti i vitit 2026 është një fillim i mirë për t’iu përgjigjur këtyre sfidave dhe për të filluar adresimin e disa objektivave, që mbeten gjithnjë të rëndësishme për qeverinë.”, shtoi ajo.
Buxheti 2026 në sektorin e shëndetësisë parashikon të financojë:
Shërbime të kujdesit parësor i cili përfshin financimin e:
1. Rreth 7.6 milion vizitave në sistemin parësor, me një parashikim në financim në vlerën 2.3 miliard lekë.
2. Mbulimin universal për kontrollin bazë mjekësor Check-Up për grupmoshën 35–70 vjeç, me një vlerë financimi 699 milion lekë.
3. Rimbursimi i fishave për matjen e diabetit për të moshuarit mbi 65 vjeç, si dhe personat me aftësi të kufizuar, do të vazhdojë si politikë edhe për vitin 2026, me një vlerë financimi 166 milion lekë.
4. Si risi për këtë program për vitin 2026 është ofrimi i paketës së stomës, për rreth 770 pacientë, me një vlerë financimi 150 milion lekë.
5. Rimbursimit të barnave në Listën e Barnave të Rimbursueshme (FOND), ka një shtesë prej 900 milion lekësh ose 7% (nga 12.6 miliard në 2025 në 13.5 miliard në 2026). 500 milion lekë janë të dedikuara për barnat onkologjike. Këto barna shkojnë për rreth 400 mijë pacient.
Aktualisht lista e barnave e përditësuar ka 1 mijë e 345 barna në total, nga 1 mijë e 191 që ishin në listën e mëparshme.
Duke krahasuar shërbimin parësor me Fazën e II-të të PBA 2026-2028 kemi një rritje prej 743 milion lekë në transfertën e buxhetit të shtetit dhe 2.9 miliard lekë në kontribute shëndetësore, për këtë arsye i kërkojmë Ministrisë së Financës që vlera prej 2.9 miliard lekësh të kalojë nga shërbimi parësor në atë dytësor.
Shërbime të kujdesit spitalor ,i cili do të financojë për herë të parë:
1. 300 pacientë që do të marrin shërbimin e Trombektomisë në QSUNT, me një vlerë financimi 480 milion lekë.
2. 350 pacientë që do tu ofrohet për herë të parë rikonstruksioni i gjirit, me një vlerë financimi 70 milion lekë.
3. 50 pacientë që do t’u ofrohet për herë të parë procedura e transplantit të kornesë, me një vlerë 25 milion lekë.
Vijon financimi për:
1. Shërbimin shëndetësor në 5 spitalet terciale, 11 spitalet rajonale dhe Spitalin “Memorial” Fier, si dhe 27 spitalet bashkiake me një vlera prej 27.9 miliard lekë.
Këtu përfshihet ofrimi i të gjithë barnave onkologjike, me një vlerë shtesë në buxhetin për barna me 1 miliardë lekë.
2. 1 mijë e 394 pacientë që do të trajtohen me dializë, me një vlerë financimi 2.6 miliard lekë.
3. 11 mijë e 930 pacientë që do të trajtohen me paketat e kardiologjisë dhe kardiokirurgjisë, me një vlerë financimi 1.4 miliard lekë, të cilët do të trajtohen në 2 spitale terciare (QSUNT dhe QSR Shefqet Ndroqi) dhe 2 Spitale Rajonale (Shkodër dhe Fier për kardiologjinë).
4. 22 pacientë që do të trajtohen me paketën e transplantit renal, me një vlerë financimi 23 milion lekë.
5. 5 mijë e 147 pacientë që do të trajtohen me paketën e kataraktit, me një vlerë financimi 112 milion lekë.
6. 31 mijë e 285 seanca që do të trajtohen me radioterapi, me një vlerë financimi 138 milion lekë.
7. 5.3 milion ekzaminime financuar nëpërmjet koncensionit të laboratorëve, me një vlerë financimi 2 miliard lekë.
8. 200 çifte që do të përfitojnë nga paketa e fertilitetit, me një vlerë financimi 37.5 milion lekë.
9. 1 mijë e 250 analizat për Sindromën Down, me një vlerë financimi 6 milion lekë.
Qendrën Kombëtare të Urgjencës Mjekësore, me një vlerë financimi 490 milion lekë.
Rritje e investimeve dhe projekteve spitalore
Në listën e investimeve përfshihen:
-Ndërtimi i Spitalit të ri Rajonal të Korçës;
-Rikonstruksioni i urgjencës së Durrësit, i Spitalit Psikiatrik QSUT, i Spitalit të Tropojës dhe Spitalit të Matit;
-Blerje pajisjesh të teknologjisë së lartë mjekësore, përfshirë Pet CT për QSUNT.















