Milani ka rigjetur hapin fitues nën drejtimin e Masimiliano Alegrit dhe tifozët kanë rigjetur entuziazmin për kuqezinjtë.
Një situatë që përkthehet në më shumë interes e padyshim edhe në stadium të mbushur për ndeshjet e rëndësishme.
Sipas mediave italiane, kjo valë entuziazmi që në startin e kampionatit, ka bërë që të shiten mbi 72 mijë bileta të caktuara për ndeshjen mes Milanit dhe Napolit në “San Siro”.
Përballja ndaj kryesuesve të kampionatit është gjithmonë tërheqëse, por ideja që Milani tashmë do të luajë për të arritur napolitanët, duket se ka shtyrë tifozët që të “pushtojnë” stadiumin për këtë sfidë.
Kësisoj, duket se po kthehet pak nga pak paqja mes Milanit dhe tifozëve, pas një fundi të tensionuar të edicionit të kaluar kur shpeshherë ekipi u vu në “rresht për një” para mbështetësve të cilët nuk pëlqenin impenjimin e lojtarëve në fushë e aq më pak rezultatet e tyre.