Dhjetëra mijëra njerëz morën pjesë në protestat antiqeveritare në kryeqytetin serb të Beogradit të premten. Kjo ishte protesta e gjashtë pasi 18 persona u vranë në dy të shtëna masive në maj.
Serbët fajësojnë qeverinë dhe disa tabloide për promovimin e kulturës së dhunës dhe urrejtjes.
Partitë opozitare të majta dhe liberale u mblodhën para parlamentit në qendër të qytetit. Njerëzit marshuan në dy kolona të veçanta drejt ndërtesës së qeverisë dhe brohoritën slogane si “Vuçiç jashtë!” duke kërkuar largimin e presidentit Aleksandër Vuçiç.
Ata kërkuan dorëheqjen e presidentit, ministrit të brendshëm Bratislav Gasic dhe shefit të shërbimit sekret Aleksandar Vulin, të cilët i fajësojnë për dështimin për të sjellë grupet kriminale para drejtësisë.
Kërkesat e tjera përfshijnë tërheqjen e licencave të transmetimit kombëtar për kanalet televizive Pink TV dhe Happy TV dhe ndalimin e disa tabloideve për të cilët ata thonë se kontribuojnë në krijimin e një klime dhune.
Kryeministrja Ana Brnabiq tha të mërkurën se ishte e gatshme të jepte dorëheqjen. Ajo ftoi partitë opozitare që kanë mbështetur protestat të angazhohen në dialog. Megjithatë, drejtuesit e protestës thanë se nuk do të flasin me qeverinë derisa të plotësohen të gjitha kërkesat e tyre.
Vuçiç tha se qeveria e tij nuk ishte fajtore për të shtënat. “A është qeveria fajtore për krimet që ndodhën? Unë nuk mund ta pranoj këtë,” tha ai të premten.
Serbia u trondit nga dy të shtëna masive të paprecedentë muajin e kaluar. Më 3 maj, një adoleshent vrau dhjetë nxënës në një shkollë fillore. Më 4 maj, një 21-vjeçar vrau tetë persona në një qytet afër Beogradit.