Dita e dytë e bisedimeve në Berlin mes Volodymyr Zelensky-t dhe ndërmjetësve amerikanë, Steve Witkoff dhe Jared Kushner, për planin Trump të paqes në Ukrainë, është cilësuar si pozitive, por ende ka çështje të pazgjidhura.
Pas bisedimeve, negociatorët amerikanë janë shprehur për mediat se 90% e çështjeve mes Kievit dhe Kremlinit janë zgjidhur gjatë këtyre negociatave, duke shtuar se vendimi final për sa i përket territoreve i përket Ukrainës.
Kancelari gjerman Merz, i cili në një konferencë për shtyp tha se tani kemi mundësinë për një proces të vërtetë paqeje për Ukrainën, edhe pse ky proces është ende i vogël, por mundësia është reale.
“Steve Witkoff dhe Jared Kushner, dy negociatorët e Presidentit Trump, kanë luajtur një rol kyç në këtë. Garancitë ligjore dhe materiale që SHBA-të kanë vënë në tryezë këtu në Berlin janë vërtet të jashtëzakonshme”, tha ai.
Ndërsa presidenti Zelensky tha se bisedimet për çështjen e territoreve ishin jo të lehta dhe ka qëndrime të ndryshme për sa i përket negociatave. Ai mësohet se ka pranuar propozimin amerikan për të hequr dorë nga anëtarësimi i vendit në NATO, çka u vlerësua nga Kremlini.
Zelensky ka kërkuar në këmbim që siguria e Ukrainës të garantohet përmes një skeme të ngjashme me Nen 5 të traktatit të NATO-s, ku në rast sulmi ndaj një vendi anëtar, të gjithë partnerët i vijnë në mbështetje. Moska kërkon që planit të Donald Trump-it të mos i hiqet asnjë presje, pasi çdo devijim nga thelbi, ku i kërkohet Ukrainës të bëjë Rusisë lëshime territoriale, është i papranueshëm.














