Jon Mersinaj ka bërë një lëvizje surprizë në merkaton dimërore, duke u larguar nga Lokomotiva e Zagrebit për t’u bashkuar me Osijekun, një tjetër skuadër në elitën kroate të futbollit. Për transferimin e mbrojtësit shqiptar, Osijeku pagoi 200 mijë euro, duke e konsideruar një përforcim të rëndësishëm për mbrojtjen e ekipit.
Mersinaj ka nënshkruar një kontratë që e lidh me Osijekun deri në vitin 2027 dhe do të mbajë fanellën me numrin 15. Pas prezantimit, ai u shpreh entuziast për këtë hap të ri në karrierë: “Kam kaluar një periudhë të mirë te Lokomotiva, por tani është koha për sfida të reja. Osijeku më ka ofruar kushte të shkëlqyera dhe mezi pres të debutoj dhe të jap kontributin tim për klubin.”
Osijeku renditet aktualisht në vendin e katërt me 30 pikë pas 21 ndeshjeve, duke mbetur 5 pikë para Dinamos së Zagrebit, që ndodhet në vendin e pestë. Kjo lëvizje pritet të ndihmojë skuadrën në objektivat e saj për pjesën e mbetur të sezonit.