Kreu i Partisë Tisza, Péter Magyar, ka bërë një deklaratë të gjatë lidhur me pretendimet për një fushatë shpifjesh me video intime, që sipas tij po përgatitet nga aleatët e qeverisë Orbán përpara zgjedhjeve të prillit.
Magyar tha se ngjarja daton më 2 gusht 2024, gjatë një feste verore të organizuar nga partia, kur u ftua nga ish-partnerja e tij, Evelin Vogel, në një apartament ku ndodheshin edhe persona të tjerë të panjohur për të.
Ai theksoi se nuk ka konsumuar asnjë lloj droge, duke shtuar se të gjitha testet e kryera më parë kanë rezultuar negative dhe se është i gatshëm t’i nënshtrohet çdo testi të ardhshëm.
“U mashtrova dhe nuk e kuptova se po futesha në një skandal të stilit rus. Ishte një akt konsensual mes dy të rriturish. Nuk kam kryer asnjë veprim të paligjshëm, ndërgjegjja ime është e pastër”, u shpreh Magyar, duke shtuar se nuk dihet se si mund të manipulohet më vonë materiali i regjistruar fshehurazi.
Ai akuzoi qeverinë dhe shërbimet sekrete për presion psikologjik dhe përpjekje për ta frikësuar para zgjedhjeve, duke thënë se qëllimi ishte të dëmtohej jo vetëm imazhi i tij, por edhe koha që ai kalon me djemtë.
“Ata nuk do ta arrijnë qëllimin e tyre. Edhe pse ditët e ardhshme do të jenë të vështira për djemtë e mi, ne do t’ia dalim”, deklaroi ai.
Magyar nënvizoi se nuk do të përkulet ndaj asnjë forme shantazhi, duke paralajmëruar se ata që marrin pjesë në këtë çështje “do të përfundojnë përballë sistemit penitenciar hungarez”.
Në fund, ai i dërgoi një mesazh të drejtpërdrejtë kryeministrit Viktor Orbán, duke thënë se “janë vetëm 59 ditë deri në ditën e gjykimit” dhe se shumica e hungarezëve, sipas tij, e shohin qartë korrupsionin dhe gënjeshtrat e qeverisë.
Deklarata e tij vjen si kundërpërgjigje ndaj lajmeve për një video intime të supozuar, ndërsa ai insiston se nuk ka konsumuar drogë dhe se nuk do t’i nënshtrohet asnjë shantazhi mediatik.











