Një grup dypartiak senatorësh dhe kongresistësh amerikanë i kanë bërë thirrje administratës së presidentit amerikan, Donald Trump që t’i rikthejë sanksionet ndaj ish-liderit të serbëve të Bosnjës, Millorad Dodik për shkak të, siç kanë thënë ata, minimit të paqes dhe sigurisë së Ballkanit.
Kjo iniciativë vjen pesë muaj pasi Trump i ka hequr të gjitha masat ndëshkuese kundër Dodikut, familjarëve dhe bashkëpunëtorëve të tij.
Në një letër të publikuar nga Komiteti për Punë të Jashtme i Senatit amerikan, ligjvënësit i kanë kërkuar Sekretarit amerikan të Thesarit, Scott Bessant dhe Sekretarit amerikan të Shtetit, Marco Rubio që të sanksionohet Dodiku në përputhje me ligjin federal, duke përmendur që sanksionet ishte planifikuar të vazhdoheshin më 18 mars, sipas rregulloreve.
Iniciativa është shtyrë përpara nga senatorja demokrate, Jeanne Shaheen, dhe senatori republican, Thom Tillis. Në mesin e nënshkruesve janë edhe: Chuck Grassley, Roger Wicker, Dick Durbin, Elizabeth Earren, Mike Turner dhe Ann Wagner.
Ligjvënësit amerikanë pretendojnë se Dodiku i ka vazhduar veprimet që “minojnë direkt Marrëveshjen e Dejtonit”, përfshirë avokimin për ndarjen e Republikës Sërpska – entitetit serb të Bonje dhe Hercegovinës, duke sfiduar juridiksionin e institucioneve shtetërore, dhe duke shkelur Aktin e Autorizimit për Mbrojtje Kombëtare të vitit 2026.
“Ndonëse e kuptojmë që heqja e sanksioneve mund të jetë nxitur nga dëshira për stabilitet më të madh politik në Bosnje, veprimet e Dodikut e demonstrojnë qartë që ai nuk ka qëllime për ta ndjekur atë rrugë”, përmendet në letër.















