Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) i është zgjatur mandati deri më 14 qershor 2027. Vendimi u mor nga Këshilli i Bashkimit Evropian më 5 qershor 2025 gjatë një takimi në Luksemburg.
Komiteti Politik dhe i Sigurisë i BE-së u pajtua që misioni të vazhdojë punën edhe për dy vite të tjera, duke ndjekur zgjatjen e fundit që kishte hyrë në fuqi më 5 qershor 2023 dhe skadonte më 14 qershor 2025.
Për periudhën e re të mandatit, fondet e planifikuara arrijnë në 170,866,980 euro. Nga kjo shumë, 64,492,980 euro janë të destinuara për funksionimin e misionit në Kosovë, ndërsa 106,374,000 euro janë për mbështetjen e procedurave gjyqësore të zhvendosura në një shtet anëtar të BE-së.
EULEX u vendos në Kosovë në vitin 2008 pas shpalljes së pavarësisë, duke zëvendësuar misionin e OKB-së, UNMIK, por me kompetenca më të kufizuara. Gjatë viteve 2011 dhe 2012, këto kompetenca u reduktuan më tej, pas përfundimit të mbikëqyrjes ndërkombëtare të pavarësisë së Kosovës.















