Kryeministri në detyrë Albin Kurti është kthyer në Prishtinë pas vizitës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Pas një aktiviteti në Shtimë dhe pas interesimit te mediave, Kurti foli edhe për vendimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese në lidhje me ngërçin ne Kuvend.
“Sa i përket aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, ne duhet ta shohim atë në mënyrë të plotë për të dhënë vlerësimin tonë, por ajo që mund të them tani është se konsideroj që është humbje kohe dhe dëm që nuk po funksionon Kuvendi i Republikës së Kosovës. Kuvendi i Republikës e ka zgjedhë kryetarin Dimal Bashën, i ka zgjedhë katër nënkryetarët Albulena Haxhiun, Vlora Çitakun, Kujtim Shalën dhe Emilja Rexhepin askush nuk është duke e zënë karrigen e zbrazët për nënkryetarin nga radhët e komunitetit serb. Është dashur të vazhdojë puna e Kuvendit sepse shteti i Kosovës nuk ka kohë për të humbur”, tha Kurti.
I pyetur për mundësinë e votimit në pako për nënkryetarët e komuniteteve pakicë, Kurti u përgjigj: “Emilja Rexhepi është nënkryetare e Kuvendit të Republikës së Kosovës, nuk mundet votimi për Emilja Rexhepin të anulohet, prandaj ne kemi ngelur te nënkryetari i fundit nga komuniteti serb por mos harroni nuk janë serbë vetëm ata të Listës Serbe, serb është edhe Nenad Rashiq. Në njërën anë përfaqësuesi i Listës Serbe i mori veç 10 vota, a Nenad Rashiq i mori 56, veç 5 vota të ia jepnin këta 52 që janë të opozitës sot nuk ishim duke i bërë këto pyetje dhe këto përgjigje.”