Bajram PEÇI
Në përshkrimet historike mesjetare për “Arbëria venedike” dhe “Arbëria turke” kuptimi është dukshëm i qartë. Njohim praninë e një Shqipërie nën sundimin e Vendedikut dhe të një tjetër territori shqiptar që ndodhet nën sundimin e Turqisë. Për “Arbërinë e lirë” nuk është e njëjta gjë. Por, çfarë ka qenë “Arbëria e lirë”, pse e ka marrë këtë cilësim dhe në ç’rrethana ka ekzistuar? Ndryshe nga Arbëria venedike, që ishte një nocion politik, me kufij zotërimi të qartë, me status politik, organizim e rend ekonomiko-shoqëror, “Arbëria e lirë” shpreh një gjendje shoqërore të një komuniteti relativisht të madh shqiptarësh përmes nocionit gjeografik. Është Denis Possot, një udhëtar francez, ai që nga historianët pranohet se e ka përmendur për herë të parë emërtimin “Arbënia e Lirë”. E ka bërë këtë në vitin 1532, përmes veprës së tij të përshkrimeve të udhëtimit, ku pasi shkeli, pa e vrojtoi, e ndau Shqipërinë në tri pjesë: në Shqipërinë e sunduar nga turqit, në Shqipërinë e zotëruar nga venedikasit, në Shqipërinë e sunduar nga shqiptarët.
Cila trevë quhej “Arbëni e lirë”?
U quajt ajo pjesë e Shqipërisë, ndonëse nën regjim pushtimi, që sundohej nga shqiptarët. “Banorët e Labërisë, – shkruante Johann Georg von Hahn, – e quanin veten e tyre që prej kohësh të moçme, arbër dhe vendit të tyre i thoshin Arbëri”. Ishte koha kur Europa po fillonte të “zbulonte” popullin shqiptar, gjuhën e tyre të veçantë, doket e zakonet, veshjen kombëtare, prozën dhe poezinë e Bajronit, koha kur dijetari i mirënjohur shkroi për shqiptarët në shekullin XIX se “…kjo Arbëri përfshin katër pjesë: krahinën e Vlorës; Himarën në jug të Vlorës dhe gjithë Bregun (bregdetin jonian); Rrethin e Delvinës (Delvina ka qenë në atë kohë qendër administrative që përfshinte Sarandën, Butrintin, Konispolin); krahinën e Kurveleshit, hinterlandin lab, i cili ngrihet në perëndim të derdhjes së Drinosit e në jug të Tepelenës dhe tek i cili, të tria pjesët e tjera duan që të jetë i kufizuar emri Labëri (Burimi nga Çabej: “Shqiptarët midis Perëndimit dhe Lindjes”). Nga koha kur Hahn ka vënë në dukje këtë ndarje, ajo, me pak përjashtime është e gjallë dhe sot si formacion gjeografik, etnografik, dialektor. Labëria në jug fillon nga Lazarati-Mali i Gjerë- Mali Picarit-Tepelenë-perëndim i Vjosës-Mesaplik, Kudhës, Himara dhe Bregu. Në një farë mënyre, zemra e ish-trevës së vjetër të kaonëve. Për një kohë relativisht të gjatë u quajt “e lirë”, sepse në këtë Arbëri popullata vendase nuk rreshti së luftuari kundër pushtuesit turk. E mbrojtur nga një terren i ashpër, ku inkursionet ndëshkuese nuk ishin edhe aq të efektshme e që për më tepër nuk kalonin pa humbje, ajo u bë bastion i luftërave të Aranitit. Kohë më pas, në vitet 1480-1481, kjo trevë u shndërrua në strehë dhe bazë për ekspeditën e Gjon Kastriotit dhe Kostandin Muzakës për të dëbuar ushtritë turke nga Shqipëria. Sipas kronikave, ai udhëtoi nëpër det drejt maleve të Himarës, “…që janë më shumë se 50 fshatra, qenë ftuar t’i zbonin turqit dhe të rifitonin lirinë”.
Kronisti venedikas, Magno, shkruan për kryengritjen e Himarës të tre vjetëve më pas, ajo e vitit 1484, ku himarjotët cilësohen si shqiptarë. Pasojnë më 1484-n dhe 1486-n, dy ekspedita ushtarake kundër Labërisë e Himarës; vazhduan rebelimin, derisa turqit u detyruan të hynin në marrëveshje. Në vitin 1492, marrëveshja kushtëzonte rrënimin e kështjellave të Himarës e të Sopotit, kurse himarjotët, sipas kronistit venecian Magno, pranuan t’i paguanin haraç sulltanit. Marrëveshjes i erdhi fundi më 1500-n, kohë kur himarjotët nuk e duruan dot detyrimin si status robërie. Më 1501-shin, Labëria dhe Himara morën pjesë në anën e palës venedikase në luftën që u zhvillua me turqit në afërsi të derdhjes së Vjosës. Kur udhëtari Denis Possot e pa këtë vend në vitet 1530, brendësia e vendit të “Arbërisë së lirë”, lugina e Shushicës, malet e Kurveleshit dhe ato të Himarës, ishin të padepërtueshme nga pushtuesi dhe për rrjedhojë të lira. Krahina e Labërisë luhatej mes kryengritjeve të vazhdueshme. Herë një sanxhakbej-pasha i Vlorës, për ta zbutur i falte krahinës taksa dhe herë ndërmerrte ekspedita ushtarake e plaçkitje për të nënshtruar krahinën rebele të Labërisë. Më 1538-n mbërriti në krahinë, për të parë gjendjen në vend, vetë sulltani, Sulejmani i Madh (i Madhërishmi). Eqrem bej Vlora jep në “Kujtimet” e tij kronikën zyrtare të marrë nga arkiva e Stambollit “…kur erdhi Mbreti në Shqipëri (Arnavutluk) më 1538, Kara Sinan pasha i dolli përpara në kufi të sanxhakut të tij (në Gur të Prerë) dhe e kënaqi, duke i paraqitur 100 valltorë arnautë dhe 100 kupa plot me flori. Në Vlorë sulltan Sulejmani vizitoi kalanë e Kaninës, fjeti një natë në shtëpinë e sheh Jakupit, urdhëroi të ngrihet një xhami, një teqe, të meremetiset rrënjësisht kalaja e Kaninës dhe të gatitet në hyrjen e Bogazit një kala e re (kalaja e Skelës).”
“Banorët e Labërisë, – shkroi Johann Georg von Hahn, – e quanin veten e tyre që prej kohësh të moçme arbër dhe vendit të tyre i thoshin Arbëri” Një shembull tjetër që ka tërhequr prej një kohe të gjatë vëmendjen e studiuesve është emri Labëri. “Quhet Arbëri, – thotë Martin Urban, – ai copë vend malesh të ulëta në lindje të Vlorës e përtej Shushicës, të cilin duhet ta marrim që andej ku vargjet e Gribës ngrihen nga toka kodrinore”. Që emërtimi i krahinës lidhet me emrin e hershëm Arbëri, është vënë në dukje fillimisht nga filologu Hahn dhe më pas nga historianofilologu J. Ph.Fallmerayer, i cili në veprën e tij të njohur, “Elementi shqiptar në Greqi”, i sjell si shembull përpjekjet e fon Hanhn për shpjegimin e fjalëve Albania e Arbëria dhe nuk ka ngurruar të nxjerrë përfundimin se te fjala Arbëria “…ai sheh Albaninë e vjetër që, sipas tij, është pjesa më e egër, më e ashpër dhe më e padepërtueshme e Shqipërisë së mirëfilltë, që shtrihet ndërmjet Aulonës, Himarës dhe Delvinës”, krahinë që në lashtësi quhej Kaoni. Sipas Hahn dhe Fallmerayer, emri Labëria te vendasit, si dhe te fqinjët, ka afërsisht të njëjtën shtrirje si fjalët Arbëria dhe mirditorët!!!? Nuk u desh shumë kohë të kuptoj se këto ishin përpos se përralla. Me kalimin e viteve më ka rastisur të shoh të bien në përfytyrimin e gabuar të krijuar prej gojëdhënave e t’i bashkohen edhe emra që kishin lidhje me historinë. Por, jam i bindur se kjo nuk ka ndodhur dhe nuk është e vërtetë. Jo pse nuk gjenden kronika për ndonjë eksod të mundshëm nga krahina shqiptare e Mirditës në atë të Labërisë, por se të dhënat historike, gjuhësore, etnologjike dhe studimi i toponimisë flet për një prani të përhershme eKaonia. Prej kohës së rinisë time të hershme kam ndeshur në legjenda për popullsinë e kësaj treve, nga kishin origjinën të parët e mi. Thelbi i saj ishte: fiset tona rridhnin nga të pashkëputur të fiseve labe nga kjo trevë, pasardhës të kaonëve të lashtë. I gjithë ky keqkuptim e ka patur burimin nga emrat, por sidomos mbiemrat e njëjtë të familjeve, që ndesheshin dhe vazhdojnë të jetojnë ende në këto dy fise të shquara shqiptare, por dhe në Shqipërinë e Epërme e atë të Çamërisë. Raca jonë ka patur dhe ka disa emra të përvetshëm, që nga shqiptimi nuk ngjasin të jenë të pranishëm në gjuhët fqinje. Tipike për krahasim vlen tingulli që ne e shqiptojmë “gj”, por grekë e sllavë e shqiptojnë dhe shkruajnë si “g” dhe “j”. Historianë që nuk dinë shqip ose e njohin atë përciptazi, si p.sh. Oliver Schmitt, e mbartin emrin Gjon të të atit të Gjergj Kastriotit nga dokumentet ashtu siç është shkruar, Johan, madje dhe Ivan. Brenda këtij gabimi ra dhe përkthyesi Adrian Klosi. Në Labëri kanë jetuar e jetojnë njerëz me emra e mbiemra Gjon, Gjini, Gjergj, Gjin, Gjikë, Pal, Gjipali, Gjoka, Gjokutaj, Gjoleka, Gjoliga, Gjoveshi, Deda, Dedëgjini, Duka Përpos këtyre, kemi emrat e mbiemrat Cukala, Kondi, Liza, Leka, Lekdushi, Lleshi, Mëhilli, Mërkuri, Nika, Nikolli, Pali, etj. që i ndesh si në Labëri ashtu dhe në Mirditë. Por nuk janë vetëm emrat e njerëzve që tregojnë se kanë folur, e përdorur njëjtë e pa dallim arbërishten. Në shërbim të argumentit kam marrë e nxjerrë nga Enciklopedia e Kurveleshit, botim i SHB Toena, emrat e toponimeve të fshatrave. Ja disa prej tyre. Gusmar: Lagje Gjomëhille, gropa e Gjikës, vreshti i çikës; Kapariel: maja e Gjikëqezarit, pylli i Gjon lleshit; Lekdush: bregu i Shënmëhillit, sheshi i gjovlashe, te Shënkolli, te Shënmëhillajt, në Gjonuka, në Gjoplakë; Kuç: lagjet Gjokgjin, Qyrgjin, Zhupgjin e Bardhëgjin, mali i Gjeshnikoshit, mali Valthit, mali i Çikës, qafa e Shënmërisë, përroi i Prodanit, kalaja e Lekës, lëndina e Gjokone, lugu i Shënmërisë, te Gjinnika; Nivicë: maja e Gjoçelit, shpella e Gjonushit, kroi i Gjine, shullëri i Gjinoshit, qafa e Dednikës; Picar: në lekgjon; Progonat: maja Gjinnika, fusha e Shëndëllisë; Vërmik: hauret e gjoke; Golëm: mali i Zallgjeçit, fusha e Dedëmënge, arat e Norës, të Mëhille, të Nikollës, të Koçia jve, lëma e Lekëboshit e Gjinfrengës, kroi i Nikollës, buza e Dedës, lugu i gjine, shpella e Dukëlekës, lisat e gjikonde, pellgu i gjine, varri i Gjergjit, i Gjoke, rrahu i Gjikonde, përroi Hilgjinit; Fterrë: krojet e Mërtirlagjes, të Gjishtirës, qafa e Martizës, shkëmbi i Lekës, honi i Zanës, bregu i Lleshit, shpella e Gjonlekës, maja e Gjokaçe; Çorraj: maja e Peçgjonit, e Gjinikës, arat e Lekëvarfit, buza e Gjonishërit, qafa e Gjinikës, e Shënkollit, sheshi i Lleshit. Emrat e tyre janë të moçëm e vijnë prej disa shekuj më parë. Tingëllojnë si të krishtërimit roman, besimi fetar i mirditorëve, Dukagjinit, Thethit e asaj treve që dikur thirrej Albania Veneta. Ajo që pa droje mund të pohohet me plot gojën, është se të paktën deri në mesjetë nga vijnë këta emra, nuk kish kufij midis formimit gjuhësor e kulturor të trevave veriore e jugore të Arbërisë. Ato besoj se jetonin në një ekuilibër të përgjithshëm. Deri në shek. XV, kohë kur pushtimi osman u hapi derën gjëmave kombëtare, nuk shihet të ketë ndarje, por largësia në kohë, humbja e kujtesës, humbja e besimit fetar, mungesa e shkrimit shqip, e shkollës dhe e shtetit, krijoi hapësira e ndarje, nga nisi shtysën drejt një imagjinate origjina mirditore, që nuk i lë vend evolucionit dhe formimeve të reja në brenditë krahinore, të diktuara nga shkaqe politike, fetare e sociale. Mbase, kjo ka qenë koha kur filluan të krijojnë fizionominë e tyre dialektet.
Himara arbre dhe himarjotët e pak shekujve më parë
Himara arbre është njësi etnografike e krahinës së Labërisë, pjesë në Mesjetë e asaj treve që quhej “Arbëri e lirë”. Ngado që të vërtiten grekët, ashtu si deri tani, ata e kanë të pamundur që t’i mohojnë Himarës trashëgiminë labe (arbre), pavarësisht ndryshimeve që kanë sjellë shekujt. Pasioni që e bën Greqinë për t’i marrë për helenë himarjotët dhe që i pengoi pareshtur t’i shohë shqiptarët deri në Prevezë, kish marrë formë të qartë, kur u pa hapur se Perandoria Otomane, nën të cilën sundoheshim tokat shqiptare, po dobë- sohej. Kjo është koha kur helenët hidhen egërsisht në sulm, në rrethanat kur shqiptarët ishin përpos se të robëruar, pa shkolla, pa shkrim e këndim dhe arriti kulmin agresiv e delirant në Konferencën e Paqes në Paris, më 1919. Lexuesi shqiptar ka në duar prej kohësh një vepër më se të plotë të prof. Kristo Frashërit, përmes së cilës ai shtjellon e argumenton brenda kritereve shkencore origjinën shqiptare të himarjotëve dhe përkatësinë e tyre etnike, por për natyrën e një eseje publike, po rendisim sa më shkurt disa të dhëna: Udhëtari francez, Denis Possot, në veprën e përmendur më sipër, përshkruan dhe flet në vitin 1532 për një Arbëni ku sheh zonat “e lira” dhe bën me dije shifrën prej “…20 000 kalorës për të shkuar kundër armiqve në Turqi dhe ata, – thotë Possot, – banojnë në një vend e në një pjesë të Arbërisë që tani quhet Himarë”. Duhet të shtojmë se emri Himarë në vitin 1530 nuk kish kuptimin e tashëm. Me këtë emër nuk emërtonin këta shtatë fshatra që janë sot, por përfshihej pothuaj gjithë Labëria. Në fillim shekullin XVI, me emrin Himarë njiheshin 53 fshatra, nga të cilat 43 fshatra janë të krahinës së fisit të lashtë, Kurvesej (Kurvelesh). Eqrem bej Vlora në kujtimet “Kalaja e Kaninës dhe shkrime të tjera”, shkruan se në shek. XVIII, pas ndryshimesh në krahinën e Lumit të Vlorës, Himara përfshinte vetëm 37 katunde të Labërisë. Historianët shqiptarë sjellin dëshminë e hershme se himarjotët u bënë anëtarë të kuvendit më të rëndësishëm shqiptar, Kuvendit të Shqiptarëve, atij të Lezhës, mbledhur më 2 mars 1444. Dihet mirë se ky kuvend mblidhte e bashkonte përpos se fiset arbre. Himarjoti Anton Linerosa, sipas Barletit, mori pjesë si përfaqësues në Kuvendin e Lezhës. Dëshmitë historike që sjellin historianët grekë, për të provuar praninë gjatë mesjetës paraturke të banorëve grekë në Himarë, mungojnë. Ato mbështeten përveç se mbi hamendje dhe folklorin e Manit. Burimet historike mesjetare, që zotërojnë historianët shqiptarë, provojnë se para dhe pas vitit 1481 banorët e Himarës thirren “shqiptarë-arbër” ose thjesht “himarjotë”.
Madje, ka qenë një periudhë kur në Himarë u krijua dioqeza e kishës katolike nën vartësinë e Papatit të Romës e kryepeshkopatës së Durrësit, gjë kjo e papërfytyrueshme se mund të ndodhte në një popullatë me origjinë helene. Se Himara ka qenë tërë kohërat një nga viset shqipfolëse e tregon më mirë se kushdo studimi i onomastikës, e cila e sjell përbërjen e vëndbanimit të Himarës përmes regjistrit të Sanxhakut të Delvinës, viti 1583 (991 i Hexhirës). Regjistri i administratës otomane ka kohë që ka ardhur në shqip e përkthyer nga Petrika Thëngjilli: Gjoka Boga, Gjoka Dhamo, Petri Gjoni, Mark Gjoni, Gjika Gjoni, Todor Lumadhi, Gjon Palloshi, Dede Kola, Dhuman Gjipali, Nikola Gjin Miri, Gjek Leka, Gjoka Nika, Mark Suvari, Petri Gjini, Todor Gjino, Peteri Gjoni, Gjik Llanka, Gjin Gjon Aleksi, Kond Martini, Nikë Martini, Gjok Alemdari, Gjok Dhim Gjini, Martin Zylkader, Kondaramo Muka, Aleks Peçi, Gjini Gjorzaj, Gjika Llaz- Peçi ari, Pali Dhjako, Martin Tanushi, Gjika Mëhilli, Gjon Pavllari Mëhilli, Dhimo Gjon Vllasi, Leka Dermali, Todor Gjini, Gjok Gjini, Gjon Leondari, Kond Andredo, Gjin Todori, Pal Melani, Meks Mitrije, Andrea Gjomija, Kont Lela, Gjika Dhima, Dhima Gjon Meshi, Todor Nika, Gjoka Jorgo, Nika Plaku, Gjon Mënika, Gjin Meksi, Meks Mnika, Gjok Pali, Gjin Pali, Todor Gjin Gjoni, Dhimo Gjin Dhima, Nika Leka, Andrea Menkuli, Gjok Menkuli,…Bardho? Gjin Jorga Gjok Gjin Pjetri, Nikolla Gjoni, Nika Gjin, Gjok Jorgo, Gjoka Dhimo, Lika Kondi, Martin Gjini. Është fare e thjeshtë për këdo, shqiptarë apo grekë, që përmes emrave të shohë banorët arbër në etninë shqiptare të Himarës. Të dhënat e emrave dëshmojnë qartë se himarjotët ishin shqiptarë dhe se arbrit ishin të pranishëm në të gjithë bregun jonian. Mes regjistrit dalloj mbiemrin e familjes sime dhe të dhjetëra familjeve të tjera origjina e të cilëve ka qenë në Labëri, rreth 10-15 km larg Himarës, e islamizuar forcërisht në shek. XVIII, por që mbiemrat i mbetën të origjinës.
Si u shtrembërua nga grekët emërtimi gjeografik Epir në emërtim etnik?
“Arbëria e lirë” shtrihet mbi një pjesë të trojeve gjeografike që janë quajtur Epir. Hahn-i theksonte se shqiptarët e sotëm janë pasardhës të ilirëve dhe epirotëve të lashtë. Me cilësimin epirot, kuptoheshin dhe thirreshin arbrit-shqiptarët. Gjërat u ngatërruan nga helenët kur Bizanti, viset arbre i emërtoi me emrat që u kishte vënë perandori Dioklecian provincave romake në shekullin II. Nga kjo ndarje, trojet shqiptare nga gjiri i Prevezës e deri te lumi Vjosë, ata i quajtën Epir; krahinat lindore shqiptare nga liqenet e Ohër-Prespës e deri në malet Rodope i quajtën Maqedoni; trojet verilindore prej krahut të djathtë të Drinit të Zi e deri në afërsi të Nishit i quajtën Dardani. Kjo ndarje politiko-administrative nuk kish përputhje e ngjashmëri me formacionet etnografike dhe demografike. Krahina e Epirit në të cilën shqiptarët ishin shumicë, u quajt në vazhdimësi shqiptare nga studiuesit objektiv dhe herë greke, kur studiuesit janë grekë, por herë-herë dhe sllavë.
Për më tepër, me krijimin nga Bizanti të provincës tjetër të emërtuar Epiri i Ri, që shtrihej nga lumi Vjosë në lumin Drin, lidhja e emrit epirot për të kuptuar shqiptarët, u bë edhe më e qartë. Filologu i shquar botëror, Johann Thunman, albanologu i parë që studioi shkencërisht origjinën e gjuhës shqipe, na ka lënë të shkruar përcaktimin se “…në Epir banonin vetëm popuj jo grekë, të cilët flisnin maqedonisht, e njëjtë me gjuhën ilire”.
Grekët, me këtë ndarje të hershme province, nisur nga kuptimi helen që ata i japin termit Epir, kanë pretenduar e ngulur këmbë se Greqia ndahet me Shqipërinë në lumin Vjosa. Por historinë varet si e sheh!? Mund ta shohësh si moment dramash e konfliktesh, por dhe si moment harmonie, si takim mes popujsh. Helenët kanë pëlqyer atë të parën. Ata mundën të bëjnë me trillime gjëra që në mënyrë tipike dhanë efektet e një sjelljeje të keqe ndaj fqinjit. Me shkrim e këndim të zhvilluar, ndërkohë që fqinjit të saj i mungonte dhe bënte gjithçka që ta pengonte, që t’ia mohonte, ata, grekët, u bënë gjithnjë e më të paparashikueshëm e të pakontrollueshëm. Me pak burime dhe duke iu shmangur pyetjeve të mëdha e bezdisëse të Fallmerayer, Hahn, Thunman, akademikët grekë, së bashku, me synimin për të drejtuar kërcënime ndaj fqinjëve të vjetër shqiptarë, kanë më se 150 vjet që shpërndajnë teori të shtrembëruara mbi termin e Epirit dhe banorët e saj. Në një botë të përbashkët greko-shqiptare, herë të ndarë përmes grindjeve dhe herë të bashkuar përpara rrezikut të përbashkët, ndërlidhur 500 vjet përmes romakëve dhe një mijë vjet përmes bizantinëve, ata krijuan një hendek mes shkencës historike dhe të vërtetës, pleksur fort kjo me doktrinat fetare të krishtërimit ortodoks. Nga ndarja administrative e provincave romake të lindjes, arbrit-shqiptarët, u thirrën për shekuj e shekuj me emrat arbër, epirotë dhe maqedonas. Te “Historia e Skënderbeut” të Barletit kjo del shumë e qartë. Këto emërtime, vetëm helenëve nuk u kanë ardhur për shtat.
Grekë të nervozuar përballë historianëve tanë e të huaj në çështjen e Epirit
Thuhet se identiteti krijohet në periudhën e adoleshencës. Kështu dhe arbrit, në botën e mbyllur rurale e baritore të mesjetës së hershme, kultivuan norma, sjellje e vlera që i mbajtën të ngurta e pikërisht për këtë dallonin nga fqinjët. Mes pasurisë gjenetiko-kulturore, ne shqiptarët jemi në nivelin e të sapolindurve, në kuptimin e përgjegjësisë morale, por kemi kapacitetin gjenetik të të rriturve.
Si të tillë, rrezikun e kërcënimit grek për Epirin, besoj se e kemi kapërcyer e nuk ka arsye për t’i marrë kërcënimet seriozisht. Njohjet reciproke kanë kaluar përmes shumë ndeshjesh e shkëmbimesh. Në të shkuarën, për territore (të cilat ne i humbëm e ata i fituan), ndërsa sot për teza, pikëpamje e terma; në të shkuarën për shkëmbime e kultura komunikuese e sot për identitet. Historiani Pëllumb Xhufi, në veprën “Shekulli i Voskopojës”, na ndërmend se “…gjatë gjithë shekujve të sundimit bizantin dhe osman, banorët e Greqisë nuk u quajtën as me emrin “grek’, që përdornin për ta të huajt (mes tyre dhe shqiptarët), as dhe mbiemrin “helen” të kohërave antike, me të cilin u riemëruan pas vitit 1821…ata vetëquheshin “Romej”.
Historia është hidhërimi i njeriut, kanë thënë të mençurit dhe bren da kësaj thënieje kuptohet edhe sjellja e rumej-lijve që në shekullin XIX bota kish filluar t’i quante grekë. Rumili-t (emërtimi turk për helenët) mbetën skllevër të kulturës së vjetër.
Ata e fetishizuan të vjetrën, pa qenë në gjendje asnjëherë të kuptojnë se ajo binte në konflikt me kulturën e re të përbotshme e që shpinte në moskuptime si të pranisë së kulturës helene që u përhap më vonë në Epir edhe nga përdorimi i shkrimit grek e pranisë së monumenteve epigrafike të Epirit. Mosmarrja në konsideratë e detyrimit për zhvillimin e një kulture të re kombëtare në marrëdhënie me fqinjët, i ngeci grekët e rinj në pezhishkën e miteve të helenëve të lashtë, ku dhe u mbështetën, raca e të cilëve, sipas Fallmerayer, ishte zhdukur. Në këto mite nuk mungonin përrallat për Epirin, i cili lindte konflikte e keqkuptime nacionaliste të kota (siç edhe i lindi).
Një historian i paanshëm shprehet se argumenti i tyre i vetëm është negativiteti. Nga kultura materiale, fqinjët tanë jugorë, tashmë me gjak arvanitas dhe ndërgjegje greku, morën prej arbërve veshjen e fustanellës; nga kultura jomateriale morën epikën legjendare, valle, muzikë e rite në lindje e vdekje, me gëzimet e hidhërimet. Arbanasit përçuan atje elemente të shumta të modeleve të kulturës arbënore, të cilat grekët, pa droje e turp, i paraqesin si pasuri kombëtare të kombit të tyre. Pas kaq brezash, mbase edhe nuk e dinë. Venizellosi, në Konferencën e Paqes në Paris, i shfrytëzoi të gjitha, – thotë Margaret Macmillan, – historinë, gjuhën, fenë, kërkoi Shqipërinë e Jugut (Epirin, siç kish qejf ta quante) dhe bregun e Azisë së Vogël, nga Marmaraja në Smirnë, kërkesa këto të rrezikshme për paqen.
Me këtë pamaturi ai shkatërroi në mënyrë përfundimtare dhe katastrofike komunitetin e vjetër grek në Azinë e Vogël. Në pretendimet e tij për Shqipërinë e Jugut, – shkruan M.Macmillan – ai fliste atje, pa droje se do dukej qesharak, se “…njerëzit që ngjanin si shqiptarë dhe flisnin shqip ishin grekë të vërtetë, nëse ata ishin ortodoksë”. Sipas Venizellosit, “shqiptarët, në të vërtetë ishin me fat që Greqia po i përfshinte ata mbi vete”, por nuk tha pse ushtria greke ishte plot me shqiptarë që ishin me origjinë shqiptare? Ky pikëvështrim i famëkeqes Megali Idea-s e vitit 1844, sado absurd që u duk në atë kohë, pavarë- sisht përçmimit që i bëri dr. Turtulli, vazhdon t’i ndjekë si e keqe nga pas këta fqinj të prapambetur, i vetmi ende në Europë ku shteti dhe kisha janë bashkë, çka u duk edhe në një sërë ngjarjesh të kohëve të fundit, që përfshiu kryeministrin shqiptar në debat e që rridhnin nga vendosja e kontrollit ligjor mbi ndërtime të paligjshme. U pa edhe njëherë se si qeveria greke futi me arrogancë hundët në punët e brendshme të vendit tonë, sjellje e cila u tregoi edhe njëherë shqiptarëve se sa mbrapa ata kanë ngelur.
Historianët dhe kisha greke nuk janë në gjendje të përtypin përcaktimin se historia moderne nuk lejon më që ta lexosh historinë e Epirit shqiptar si letërsi romantike. Historiografia helene është sot një shëmbëlltyrë hermetike, e cila s’lejon ta drejtojnë arsyet, por e ka lënë veten në mëshirë të miteve, të dogmave fetare e fërgëllimave ortodokse./MILOSAO