Kompania britanike e energjisë BP ka njoftuar se ka zbuluar fushën më të madhe të naftës dhe gazit në 25 vitet e fundit, gjë që konfirmon më tej se kompania po kthehet te lëndët djegëse fosile, burimet e saj tradicionale të fitimit, pas vitesh përpjekjesh për të kaluar në burime të rinovueshme të energjisë.
Vendndodhja ndodhet në pellgun e Santos, në ujëra të thella 400 kilometra larg bregut lindor të Brazilit, raporton BBC.
Zëvendëspresidenti ekzekutiv i kompanisë, Gordon Birrell, tha se ky ishte “zbulimi më i madh i BP-së për këtë shekull” dhe shtoi se ndërtimi i një qendre të re prodhimi në rajon ishte duke u shqyrtuar.
Pas këtij lajmi, aksionet e kompanisë në Bursën e Londrës u rritën me pak më shumë se një përqind.
BP zbuloi gjithashtu fusha të reja në Gjirin e Meksikës dhe Egjipt këtë vit.
“Ky është një tjetër sukses në një vit të jashtëzakonshëm për ekipin tonë kërkimor”, tha Birrell.
Në fund të shkurtit, BP uli investimet e planifikuara në burimet e energjisë së rinovueshme, ndërkohë që caktoi fonde shtesë për impiantet e naftës dhe gazit – një veprim që tregu e interpretoi si një përpjekje për t’u stabilizuar pas viteve të trazuara.
Në vitin 2020, pandemia e shtyu kompaninë në një humbje prej 5.7 miliardë dollarësh , ndërsa në vitin 2022 BP pësoi një humbje shtesë prej 25 miliardë dollarësh duke u tërhequr nga projektet ruse të energjisë pas fillimit të luftës në Ukrainë. Ndërkohë, konkurrentët që mbetën të përqendruar në lëndët djegëse fosile po shënonin fitime rekord.