Arrestimet e gazetarëve në Turqi u dënuan nga Komisioni Evropian, Londra dhe Parisi, duke i bërë thirrje vendit të respektojë sundimin e ligjit dhe lirinë e medias, bazuar në vlerat evropiane. Turqia prej një jave po përjeton demonstrata masive antiqeveritare dhe një lëvizje proteste, me përmasa të paprecedentë që nga viti 2013 dhe demonstratat e mëdha të lëvizjes Gezi. Shkaktari ishte arrestimi dhe paraburgimi i kryetarit opozitar të Stambollit, Ekrem Imamoglu.
Shumë gazetarë janë arrestuar ditët e fundit në vend teksa mbulonin protestat që janë ndaluar nga autoritetet në disa qytete të mëdha. Ka edhe shumë televizione opozitare që u janë pezulluar licencat e transmetimit, ndërkohë që raportohen masa represive edhe ndaj gazetarëve të mediave të huaja.
“Është jetike që gazetarët të mund të kryejnë punën e tyre pa u kërcënuar me dhunë, ngacmim apo frikësim, në mënyrë që të sigurohet aksesi i qytetarëve në të gjitha informacionet,” tha një zëdhënës i Komisionit.
Nga ana e saj, një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme britanike tha sot se Mbretëria e Bashkuar pret që Turqia të respektojë sundimin e ligjit: Për shkak se ne ndajmë një marrëdhënie të fortë dhe të rëndësishme me Turqinë, dhe si me të gjithë aleatët tanë, ne presim respekt për angazhimet ndërkombëtare që ndajmë dhe për sundimin e ligjit, duke përfshirë procese të shpejta dhe transparente gjyqësore.
“Turqia ka nevojë për Evropën dhe Evropa ka nevojë për Turqinë.” Por ne kemi nevojë për një Turqi që të marrë përgjegjësitë e saj për sigurinë evropiane, dhe të vazhdojë rrugën e saj demokratike duke respektuar angazhimet që ka marrë,” tha gjithashtu sot presidenti francez Emmanuel Macron, pas samitit në Paris për Ukrainën.
Franca respekton Turqinë dhe njeh përgjegjësinë e saj në Detin e Zi, por natyra sistematike e sulmeve ndaj lirive karakterizohet si veprime agresive për të cilat Parisi shpreh keqardhjen, shtoi Macron. Ankaraja më herët sot hodhi poshtë ato që i quajti deklarata të njëanshme në lidhje me arrestimin dhe ndalimin e Imamoglu. Autoritetet turke kanë arrestuar rreth 1900 persona që morën pjesë në demonstratat në favor të kryebashkiakut.