Karta në tryezë, Trump do t’i ofrojë Putinit akses në mineralet e rralla të Ukrainës
Presidenti amerikan Donald Trump po përgatitet të ofrojë homologut të tij rus, Vladimir Putin, qasje në minerale të rralla të tokës si një mundësi për të nxitur përfundimin e luftës në Ukrainë.
– Advertisement –
Sipas The Telegraph një nga opsionet më të rëndësishme është dhënia e aksesit në mineralet e rralla të tokës që ndodhen në territoret ukrainase të pushtuara nga Rusia.
Po ashtu në takimin e planifikuar për të premten në Anchorage, Alaska, Trump do të paraqesë një paketë propozimesh që përfshin hapjen e burimeve natyrore të Alaskës për Moskën dhe heqjen e disa prej sanksioneve amerikane mbi industrinë e aviacionit të Rusisë, sipas raportimeve të The Telegraph.
Ukraina mban rreth 10% të rezervave botërore të litiumit, mineral ky i domosdoshëm për bateritë, dhe dy prej depozitave më të mëdha ndodhen në zona që aktualisht kontrollohen nga Rusia.
Putin i ka pretenduar këto burime, dhe sipas një burimi për The Telegraph, një marrëveshje për shfrytëzimin e mineraleve/tokës së rrallë mund të jetë pjesë e stimujve për një armëpushim.
Në maj, SHBA-të nënshkruan një marrëveshje për mineralet e rralla me Ukrainën, duke i mundësuar Kievin të shfrytëzojë burimet natyrore, ndërsa bashkëpunimi me Rusinë mund të përshpejtojë operacionet minerare.
Politika “Amerika e Para” e Trump ka çuar në disa marrëveshje minerale me vende si Ukraina dhe Kazakistani që nga kthimi i tij në detyrë.
Ai po konsideron gjithashtu të ofrojë Rusisë mundësi për të shfrytëzuar burimet natyrore në ngushticën mes Alaskës dhe Rusisë, zonë me rezerva të mëdha nafte dhe gazi, që përfshin rreth 13% të naftës botërore.
Kjo strategji ekonomike dhe diplomatike synon të ndikojë në uljen e tensioneve dhe të nxisë një zgjidhje paqësore për konfliktin në Ukrainë.
Sekretari i Thesarit të SHBA-së, Scott Bessent, është pjesë e ekipit që do ta informojë Trump për kompromiset ekonomike që mund të bëhen për të përshpejtuar një marrëveshje armëpushimi.
Në një konferencë për shtyp, Trump paralajmëroi se Putini do të përballet me “pasoja të rënda” nëse nuk pranon të përfundojë luftën në Ukrainë gjatë takimit të tyre.
Ai gjithashtu njoftoi planet për një takim të dytë me Putinin, këtë herë duke përfshirë edhe presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky, nëse bisedimet e para shkojnë mirë.
Para samitit, Trump mori pjesë në një samit virtual me Zelenskyn dhe liderë evropianë si Keir Starmer, Emmanuel Macron dhe Friedrich Merz, ku theksoi mbështetjen për garancitë e sigurisë për Ukrainën.
Zelensky konfirmoi rëndësinë e këtyre garancive dhe gatishmërinë e SHBA-së për të marrë pjesë.
Ndërkohë, Britania e Madhe, Franca dhe Gjermania kanë punuar për krijimin e një force paqeruajtëse pa përfshirjen direkte të SHBA-së, duke shpresuar në mbështetje amerikane, përfshirë mbulimin ajror.
Kryeministri britanik Starmer tha se planet për armëpushimin janë gati dhe ka përparim në garancitë e sigurisë për Ukrainën.















