Një valë e re sulmesh me raketa ndaj Izraelit ka nisur sipas raporteve të fundit nga mediat shtetërore iraniane. Ushtria iraniane ka paralajmëruar qytetarët izraelitë që të evakuohen menjëherë, në pritje të goditjeve të mëtejshme.
Më herët gjatë ditës, ambasadori iranian në OKB, Amir Saeid Iravani, deklaroi se Irani ka vepruar në përputhje me të drejtën për vetëmbrojtje, duke ndërmarrë “operacione mbrojtëse proporcionale”, të cilat, sipas tij, janë drejtuar ekskluzivisht kundër objektivave ushtarake dhe infrastrukturës përkatëse në territorin izraelit.
Nga ana tjetër, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu u përpoq të bëjë një ndarje të qartë midis objektivave të Izraelit dhe atyre të Iranit. Ai deklaroi se Izraeli ka goditur vetëm kërcënime bërthamore dhe raketore, ndërsa akuzoi Iranin për sulme të qëllimshme ndaj civilëve.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë iraniane, të paktën 224 persona janë vrarë që nga fillimi i sulmeve izraelite të premten.