Pas një periudhe të shkurtër freskie relative, temperaturat po rriten ndjeshëm sot në pjesën më të madhe të Italisë.
Qytete si Firence, Peruxhia, Bolonja, Torino dhe Breshia janë vendosur në nivel alarmi të kuq për shkak të kushteve ekstreme të motit.
Temperaturat pritet të arrijnë deri në 39°C, ndërsa gjatë fundjavës pritet një përkeqësim i mëtejshëm i kushteve.
Në ishullin e Sardenjës si dhe në rajonet jugore të Puglias dhe Bazilikatës, zhiva mund të ngjitet deri në 42°C.
Për të ndihmuar qytetarët, Ministria italiane e Shëndetësisë ka vënë në funksion një numër telefoni të posaçëm dhe falas, për të ofruar informacione praktike dhe këshilla gjatë valës së të nxehtit.
Edhe rajoni i Venecias është prekur nga vala e të nxehtit, me temperatura rekord që nuk janë regjistruar prej më shumë se 20 vitesh. Autoritetet u detyruan të mbyllin një pjesë të autostradës Vicenza-Verona, pasi asfalti u shkri për shkak të temperaturave të larta.
Ekipet e emergjencës janë mobilizuar për të ndërhyrë dhe për të rikthyer qarkullimin normal në këtë segment rrugor.