Shitja e stadiumit “San Siro” ndaj Inter dhe Milan po hetohet për ndërhyrje në ankand. Guardia di Finanza ka kryer kontrolle dhe ka sekuestruar prova në disa institucione dhe banesa.
Shitja e stadiumit “San Siro” ndaj klubeve Inter dhe Milan është vënë në qendër të një hetimi nga Guardia di Finanza, me dyshime për manipulim të procedurave të ankandit publik. Prokuroria e Milanos ka urdhëruar kontrolle në zyrat e Bashkisë, në kompaninë M-I Stadio si dhe në banesat e disa ish-zyrtarëve dhe drejtuesve të përfshirë në proces.
Ndër personat nën hetim janë ish-zyrtarët Giancarlo Tancredi dhe Ada De Cesaris, drejtori i përgjithshëm i Bashkisë së Milanos Christian Malangone, si dhe disa menaxherë dhe konsulentë të lidhur me klubet Inter dhe Milan.
Hetimi fokusohet në dyshimet për ndërhyrje të paligjshme në një procedurë publike.
Gjatë operacionit janë sekuestruar edhe telefona celularë për të analizuar komunikimet, përfshirë mesazhe dhe email-e, në kuadër të një hetimi më të gjerë për menaxhimin e urbanistikës në Milano.
Disa prej të hetuarve janë të përfshirë edhe në këtë çështje më të gjerë, e cila kishte sjellë arrestime verën e kaluar, më pas të rrëzuara nga gjykatat.
Hetimi ka nisur pas disa kallëzimeve të depozituara në Prokurori, mes tyre edhe nga ish-nënkryetari i bashkisë Luigi Corbani dhe promotori Claudio Trotta. Dyshimet lidhen me mënyrën si është realizuar shitja e stadiumit “Meazza”, nga e cila Bashkia e Milanos ka përfituar rreth 197 milionë euro.
Sipas prokurorëve, mbetet për t’u verifikuar nëse procedura ka favorizuar interesa private në dëm të interesit publik, si dhe nëse ligji për stadiumet është përdorur për të mbështetur projekte më të gjera urbanizimi në zonë.
Hetimet janë në fazë paraprake dhe autoritetet po vijojnë analizën e dokumentacionit dhe provave të mbledhura.















