Linda Kalemi, e cila jeton prej vitesh në Turqi, foli sot në Euronews Albania për temperaturat e larta që po përvëlojnë Europën.
Ajo tha se është mirë që të merren masa për pasojat që këto temperatura mund të sjellin, ndërsa theksoi gjithashtu se në Turqi studiuesit dhe profesorët po thonë se Turqia mund të rrezikohet sërish nga një tërmet mbi 7 ballë dhe për këtë po merren masa, duke bërë kontrollet e banesave.
“Në Turqi pritet tërmet, ndaj banorët, bashkia dhe institucionet detyrohen që të bëjnë kontrolle. Për dy muaj këtu pritet tërmeti dhe unë do jem në Shqipëri do ia mbath prej këtej. Duhet t’i shmangesh. Në Stamboll pritet një tërmet i madh dhe këtë po e thonë çdo ditë profesorët, thonë se duhet të shtrëngohet rripi, pasi pritet një tërmet mbi 7 ballë në kohë të afërme. Që kur ndodhi tërmeti i parë banorët dhe bashkia po bëjnë kontrollet e banesës, dhe ata që nuk kanë mundësi ta rregullojnë apo abuzojnë, duhet të gjejnë mundësi të sigurojnë jetën”, tha Linda Kalemi.
Kujtojmë se Turqia u trondit nga një tërmet vdekjeprurës në 6 shkurt të këtij viti. Tërmeti me magnitudë 7.8 Rihter i 6 shkurtit shkaktoi dëme të mëdha në qindra mijëra ndërtesa dhe la miliona të pastrehë.