Shtatë anëtarët e parë të jurisë për gjyqin ndaj ish-presidentit Donald Trump për pagesën e bërë për të fituar heshtjen e një aktoreje të filmave pornografikë, u përzgjodhën të martën. Avokatët e palëve morën në pyetje paraprakisht të gjithë grupin e kandidatëve duke i pyetur ata për postimet që kanë bërë në mediat e tyre sociale, për pikëpamjet politike dhe jetën private, për të përcaktuar se cilët prej tyre mund të shërbejnë si anëtarë jurie për të dhënë një vendim të drejtë.
Ndër të përzgjedhurit është një punonjës i teknologjisë, një mësues i anglishtes, një infermiere e onkologjisë, një punonjës i sektorit të shitjeve, një inxhinier programesh dhe dy juristë.
Duhet të përzgjidhen dhe të bëjnë betimin edhe 11 persona të tjerë, përpara se të fillojnë seancat gjyqësore me deklaratat fillestare të palëve, gjë që mund të ndodhë që javën e ardhshme. Ky është gjyqi i parë penal ndaj një ish-presidenti amerikan. Është një moment i rëndësishëm për ish-presidentin Trump, që është përpjekur t’i shtyjë proceset ligjore ndaj tij deri pas zgjedhjeve të nëntorit dhe që e ka paraqitur veten si viktimë e një sistemi gjyqësor të motivuar politikisht.
Gjyqi i vendos sfidat ligjore ndaj ish-presidentit Trump në epiqendër të garës së ngushtë zgjedhore përballë presidentit Joe Biden. Kjo është e para, ndër katër çështjet penale kundër tij që shkon për gjykim dhe mund të jetë çështja e vetme, ku mund të merret një vendim përpara zgjedhjeve të nëntorit.
Procesi metodik që po zhvillohet në gjykatën e Manhatanit nënvizon sfidën e gjetjes së personave që mund të japin një gjykim të drejtë ndaj ish-presidentit polarizues, në qytetin ku ai ngriti perandorinë e tij të pronave të patundshme. E megjithatë, përzgjedhja e jurisë përparoi me ritme më të shpejta se ç’pritej të martën pasdite. Procesi për zgjedhjen e anëtarpëve të tjerë të jurisë pritet të rifillojë të enjten.
Duke shkuar për në sallën e gjyqit, ish-presidenti Trump u ndal në korridor për të kritikuar çështjen gjyqësore përpara gazetarëve, duke e akuzuar gjykatësin Juan Merchan se po “nxitohet” me gjyqin. Gjykatësi ka mohuar të ketë bërë ndonjë shkelje.
“Do ta vazhdojmë betejën tonë ndaj këtij gjykatësi”, tha ish-presidenti Trump, i cili pati bërë përpjekje të pasuksesshme për ta hequr gjykatësin nga kjo çështje.
Gjatë një vizite në një dyqan ushqimesh të martën në Harlem, zoti Trump u pyet se çfarë mendonte për anëtarët e jurisë që kishte parë. Ai tha se është “pak herët ” dhe shtoi se “do ta shohim se ç’do të ndodhë”.
Gjatë dy ditëve, dhjetëra kandidatë të mundshëm u skualifikuan pasi thanë se nuk mund të tregoheshin të paanshëm, ose sepse kanë angazhime të tjera. Avokatët e zotit Trump u drejtuan pyetje disa prej tyre në lidhje me postimet në mediat sociale dhe njëri prej kandidatëve u skualifikua për shkak të një postimi në vitin 2017 për zotin Trump ku shkruhej “Futeni brenda!”.
Disa prej kandidatëve i thanë gjykatësit se besojnë se mund të japin një vendim të drejtë për çështjen, pavarësisht nga ndjenjat e tyre për zotin Trump, apo për politikat e tij si president.
Zoti Trump ishte i pranishëm në sallë ndërsa anëtarët e mundshëm të jurisë, emrat e të cilëve u bëhen të ditur vetëm prokurorëve dhe avokatëve mbrojtës, flisnin për detajet e jetës së tyre dhe përshtypjeve për ish-presidentin. Gjykatësi e kritikoi zotin Trump pasi në një moment foli me zë të lartë dhe bëri gjeste, ndërsa gjykatësi i drejtonte pyetje një gruaje për një postim në mediat sociale.
“Nuk e di se çfarë po thoshte, por ishte e dëgjueshme dhe po bënte gjeste. Dhe po fliste në drejtim të kandidates për jurinë”, tha gjykatësi Merchant. “Këtë nuk do ta toleroj. Nuk toleroj frikësim të anëtarëve të jurisë në këtë gjykatë”.
Prokurori Joshua Steinglass u tha kandidatëve për anëtarë jurie se avokatët nuk ishin në kërkim të personave që “kanë jetuar të izoluar për tetë vitet e fundit”. Ai tha se avokatët thjesht duhet të tregoheshin mendjehapur.
“Kjo çështje nuk ka të bëjë fare me preferencat tuaja politike… Nuk është një referendum për presidencën Trump, apo një konkurs popullariteti, apo se për cilin do të votoni ju në nëntor. Nuk na intereson kjo pjesë. Kjo çështje gjyqësore është për të vendosur nëse ky njeri ka shkelur ligjin apo jo”, tha prokurori.
Ish-presidenti Trump ka deklaruar pafajësinë për 34 akuzat e aktpadisë për falsifikim të të dhënave të biznesit, në kuadër të përpjekjeve për të mbajtur të fshehtë përpara zgjedhjeve të vitit 2016, disa aspekte të marrëdhënieve të tij jashtëmartesore, që ai i mohon të kenë ndodhur. Gjyqi pritet të zgjasë për të paktën gjashtë javë dhe kandidatët u pyetën për planet e tyre për këtë periudhë të ardhshme.
Një kandidat u skualifikua pasi tha se kishte frikë se mund të mos tregohej dot i paanshëm, për shkak të ndikimit që kishte patur mbi të jetesa në Teksas vite më parë, si dhe puna e tanishme në një sektor financiar me persona “që kanë prirje republikane”.
“Nuk jam e sigurtë se mund të them përtej çdo dyshimi se mund të tregohem e paanshme”, i tha një tjetër kandidate gjykatësit. “Mund të përpiqem. Por, nuk jam 100% e sigurt se mund të tregohem e drejt”. Edhe kjo kandidate u skualifikua.
Një kandidat që u përzgjodh për anëtar jurie tha se i duket “tepër interesante” që zoti Trump “hyn diku në një sallë dhe ngjall reagime tek njerëzit, të njërës formë apo tjetrës”.
Një tjetër kandidate tha se nuk është dakord me politikat e zotit Trump dhe se shpesh ndjehet e zhgënjyer prej tij. Por, ajo u zotua të tregohet e drejtë dhe paanshme, ndërsa i tha avokatit mbrojtës Todd Blanche se nëse do të përzgjidhej si anëtare jurie, do të mbante përqasjen “më realiste të mundshme”.
“Nuk më zuri gjumi mbrëmë, ndërsa mendoja nëse do të mundem ta bëj këtë”, tha ajo.
Ish-presidenti Trump buzëqeshi dhe miratoi me kokë, kur një prej kandidatëve tha se ka lexuar dy nga librat e ish-presidentit, “Arti i marrëveshjes” dhe “Si të bëhesh i pasur”. Kandidati shtoi se disa nga anëtarët e familjes së bashkëshortes së tij janë lobistë të Partisë Republikane, por nuk mendon që kjo mund ta pengojë që ta shohë çështjen me paanshmëri.
“Mendoj se askush nuk është mbi ligjin”, tha ai.
Akuzat përqëndrohen tek 130 mijë dollarë të paguara nga kompania e zotit Trump për ish-avokatin e tij, Michael Cohen. Prokurorët thonë se pagesa u bë në mënyrë që aktorja e filmave pornografikë Stormy Daniels të mos i bënte publike pretendimet e saj për marrëdhënie seksuale me zotin Trump rreth një dekadë më parë. Zoti Trump e ka mohuar ekzistencën e një marrëdhënieje të tillë.
Prokurorët thonë se pagesat për zotin Cohen u regjistruan si shpenzime ligjore, kur në fakt nuk ishin të tilla. Prokurorët thonë se kjo shumë ishte pjesë e një skeme për të fshehur historitë dëmtuese që zoti Trump mendonte se mund të përdoreshin nga kundërshtarja politike në garën elektorale të vitit 2016, në veçanti pasi reputacioni i tij po vuante pasojat e komenteve që pati bërë për gratë.
Zoti Trump ka pranuar dhënien e kësaj shume për zoti Cohen dhe se gjithashtu paratë kishin për qëllim që zonja Daniels të mos dilte publikisht me pretendimet e saj. Por, zoti Trump thotë se kjo nuk kishte asnjë lidhje me fushatën zgjedhore. Të martën ai la të kuptohet se çfarë strategjie do të ndjekin avokatët mbrojtës, kur u tha gazetarëve se “pagova një avokat dhe e regjistrova si shpenzim ligjor”.
“Kjo është ajo që ka ndodhur. A mund të akuzohesh për këtë gjë?”, tha zoti Trump.
Nëse gjendet fajtor për falsifikim të të dhënave të biznesit, zoti Trump përballet me një dënim të mundshëm prej katër vitesh burgim, megjithëse nuk është e qartë nëse do ta vuante ndonjëherë një dënim të tillë.VOA