Adriatik BALLA
Kapiteni i përfaqësueses tonë Berat Gjimshiti, do të mungojë në ndeshjen e nesërme ndaj Letonisë. Është një takim i rëndësishëm për tanët, pasi synohet me patjetër fitorja dhe në këtë ndeshje trajneri Silvinjo mund të guxojë më shumë se ndaj Serbisë. Letonia nuk është rival i lehtë, por kuqezinjtë shpresojnë të dalin me tri pikë nga kjo transfertë e rëndësishme. Në ndeshje mungon Gjimshiti, lideri i mbrojtjes dhe njëherësh i skuadrës përfaqësuese, por trajneri Silvinjo duket se e ka gjetur zgjidhjen, pasi ka në dispozicion disa kualitete të rëndësishme të gatshëm për të dhënë kontributin e tyre në fushën e lojës.
Kështu, vetë trajneri Silvinjo la të nënkuptohet kush do të jetë zëvendësuesi i Gjimshitit me Letoninë. Bëhet fjalë për Adrian Bajramin, që ndodhej mbrëmë në tribunë. “Nesër duket të shohim gjithçka. Tani kemi 5 qendërmbrojtës bashkë me Adrian Bajramin që po më çmend, po luan shumë mirë. Ai do shkojë pas ndeshjes në SHBA për të luajtur me Benfikën në Botëror. Kemi lojtarë dhe është e mirë për zgjedhje, do të bëjmë stërvitjen do të shohim. Sot kemi shpenzuar shumë energji”, u shpreh trajneri brazilian pas ndeshjes. Duke qenë se Gjimshiti lë një vend të lirë, Bajrami si mbrojtësi i vetëm nga tribuna pritet t’i shtohet lojtarëve në dispozicion. Kujtojmë se edhe Pajaziti, Dajsinani dhe Berisha nuk ishin në dispozicion të Silvinjos dje.
Stërvitja e së dielës
Kombëtarja shqiptare është rikthyer në fushë dhe nisi menjëherë përgatitjet për ndeshjen e radhës kualifikuese ndaj Letonisë. Paraditen e djeshme, në “Shtëpinë e Futbollit”, trajneri Silvinjo e ndau grupin në dy pjesë. Lojtarët që nuk u aktivizuan ndaj Serbisë zhvilluan një seancë të plotë, e fokusuar më shumë te puna me topin dhe situatat e ndryshme të lojës. Ndërsa lojtarët që luajtën ndaj Serbisë bënë vetëm shkrydhje në palestër dhe fizioterapi. Gjithçka duket mirë, për më tepër që nuk ka të lënduar nga lojtarët kuqezi.
Kombëtarja udhëton drejt Rigës, nesër dueli me Letoninë
Kombëtarja shqiptare e futbollit ka lënë pas krahëve barazimin pa gola ndaj Serbisë dhe ka filluar përgatitjet për duelin e radhës në kualifikueset e Botërorit, atë ndaj Letonisë në transfertë. Dje pasdite, kuqezinjtë kanë udhëtuar me çarter nga Rinasi drejt Rigas, kryeqytetit të Letonisë, ku do të ndeshen këtë të martë me ekipin vendas. Grupi ka qenë i plotë, me përjashtim të kapitenit Gjimshiti i cili, siç thamë më lart, ka plotësuar numrin e kartonëve të verdhë ndaj nuk do të jetë i gatshëm për duelin në fjalë.
Formacioni
Trajneri Silvinjo pritet të bëjë disa ndryshme, jo vetëm për faktin se mungon Gjimshiti kapiten skuadre dhe një nga më të mirët në mbrojtje, por edhe për faktin se kundërshtari i radhës ka karakteristika të tjera nga përfaqësuesja serbe. Për më tepër, kuqezinjtë e kanë për detyrë ta fitojnë këtë ndeshje, si kusht për të mbetur në garë për vendin e dytë, që jep një shpresë për tgë mbetur në garën e kualifikimit për në finalet e Botërorit 2026. Me përjashtim të portës, ku Strakosha duket i paprekshëm, duke nisur nga mbrojtja e deri në sulm mund të ketë ndryshime në formacion.