Një ngjarje e rëndë ka tronditur qytetin e Saviglianos në provincën e Cuneos, Itali ku trupat e pajetë të një gruaje 72-vjeçare dhe të djalit të saj 40-vjeçar janë gjetur në apartamentin e tyre në rrugën Trento.
Zbulimi u bë pas alarmit të dhënë nga fqinjët, të shqetësuar për erën e rëndë të gazit që vinte nga banesa. Pas ndërhyrjes së zjarrfikësve dhe karabinierëve, u konstatua se apartamenti ishte i mbushur me gaz, ndërsa brenda ndodheshin dy trupat pa jetë.
Viktimat janë identifikuar si Rosanna Asteggiano dhe djali i saj, Domenico Mana, të cilët jetonin së bashku në këtë banesë. Hetimet janë ende në zhvillim dhe nuk përjashtohet asnjë pistë, por sipas burimeve të para, dyshohet për një rast të mundshëm të vrasjes së nënës nga i biri, pasuar nga vetëvrasja e tij. Një tjetër pistë që po shqyrtohet është ndonjë vdekje natyrale e gruas, që mund të ketë çuar djalin në një gjendje dëshpërimi të thellë.
Ndërkohë, autopsia që po kryhet në spitalin e Saviglianos pritet të hedhë dritë mbi rrethanat e sakta të vdekjes së tyre. Forcat e emergjencës dhe autoritetet punuan deri në orët e vona të natës për të siguruar zonën dhe për të shmangur çdo rrezik shpërthimi nga rrjedhja e gazit.















