Mjete ajrore që nuk i përkasin institucioneve të Kosovës e as KFOR-it para më shumë se një muaj kanë fluturuar mbi të paktën dy institucione shumë sensitive të vendit.
Këta dronë që dyshohet se janë të Serbisë, kanë fluturuar mbi Burgun e Sigurisë së Lartë dhe sipas burimeve të televizionit, madhësia e dronëve, i përngjante dronëve bujqësor.
Njëra ndër pikat ku dyshohet që dronët serb kanë marr pamje është edhe aeroporti i Dumoshit ku së fundmi është marr në pronësi nga Forca e Sigurisë së Kosovës dhe kjo është njëra ndër pikat më të afërta me kufirin me Serbinë që i takon Ushtrisë së Kosovës.
Dukagjini posedon këto pamje që nga fillimi i hetimit për këtë rast dhe fillimisht misioni paqeruajtës në Kosovë, KFOR kishte konfirmuar se kanë filluar monitorimin e pastaj duke mos specifikuar detajisht kujt i përkasin, thanë se nuk kanë paraqitur kërcënim për sigurinë.
“Lidhur me pyetjet tuaja, pas shqyrtimit të çështjes, vëzhgimet tona nuk kanë zbuluar ndonjë kërcënim për sigurinë në zonë. Ne do të vazhdojmë të monitorojmë nga afër situatën në bashkëpunim të ngushtë me palët e interesuara të sigurisë”, kanë thënë nga KFOR-i, raporton RTVDukagjini.
Për ekzistencën e tyre mbi institucione të Kosovës është njoftuar fillimisht Policia e Kosovës dhe e njëjta në koordinim me KFOR-in po merret me këtë çështje.
Madje sipas drejtorit të Policisë, ka edhe raste tjera ku janë vërejtur dronët e dyshimtë.
“KFOR është përgjegjës për monitorimin e hapësirës ajrore të Kosovës. Ka pas disa informacione për fluturime që kanë pa qytetarët dhe ne angazhojmë njësitë tona sipas nevojës por në atë pjesë, nuk kemi pas ndonjë rast që kemi rrëzu ndonjë dronë. Ne e kemi njoftu KFOR-in, ata janë duke u marr me këtë punë dhe ne në bashkëpunim me ta jemi t’u punu”, ka thënë Hoxha.
Informata kishte shkuar edhe tek institucioni tjetër përgjegjës për hapësirën ajrore në Kosovë, Aviacioni Civil i Kosovës të cilët poashtu kanë konfirmuar se kanë pranuar njoftimin mbi operimet e pa-autorizuara të mjeteve ajrore pa pilot mbi zonat të cilat i ka përmendur televizioni.
Ish-aeroportin e Dumoshit, Qeveria e Kosovës ia dha në shfrytëzim para një viti FSK-së me arsyetimin që është e një rëndësie të veçantë strategjike për vendosjen e kapaciteteve ushtarake të vendit në atë hapësirë.
Ndërsa në Burgun e Sigurisë së Lartë pos shumë të dënuarve, aty gjenden edhe të dyshuarit për terrorizëm në sulmin e Banjskës të vitit 2023.