Një rregullore e re për Eurovision 2025 ndalon artistët dhe delegacionet të mbajnë në skenë flamuj të komuniteteve LGBTQ+, duke kufizuar ekspozimin vetëm te flamuri kombëtar i secilit shtet pjesëmarrës.
Politika e re, e miratuar nga transmetuesi zviceran SRG SSR në bashkëpunim me EBU-në, vlen për të gjitha hapësirat zyrtare të konkursit, përfshirë skenën kryesore, Dhomën e Gjelbër dhe Ceremoninë e Hapjes. Artistëve nuk u lejohet të mbajnë as flamuj të shteteve të tjera si formë solidariteti – për shembull me Ukrainën.
Rregulli prek drejtpërdrejt pjesëmarrës të komunitetit LGBTQ+ si Miriana Conte (Malta), duo austriake JJ dhe finlandezja Erika Vikman, të cilët nuk do të jenë në gjendje të shfaqin flamuj të “Pride” gjatë performancave.
Ky vendim pason polemikat e vitit të kaluar, kur fituesi jo-binar Nemo tregoi se ishte ndaluar të ngrinte flamurin jo-binar në skenë: “E fsheha dhe e mora me vete gjithsesi. Shpresoj që të tjerët të bëjnë të njëjtën gjë.”
Në “paradën e flamurit” të këtij viti, do të lejohet vetëm flamuri kombëtar i shpërndarë nga organizatorët. Ndërkohë, rregullat për publikun janë më të lehta – në arenë mund të shfaqen të gjithë flamujt dhe banderolat që nuk bien ndesh me ligjin zviceran apo nuk përbëjnë rrezik për sigurinë.
Gjysmëfinalet e Eurovisionit zhvillohen më 13 dhe 15 maj, ndërsa finalja më 17 maj, në Bazel të Zvicrës.











