Emine Erdogan i kërkon Zonjës së Parë të SHBA-ve të bëjë apel humanitar për fëmijët palestinezë, ashtu siç kishte bërë më parë për Ukrainën
Zonja e Parë e Turqisë, Emine Erdogan, i është drejtuar me një letër të hapur Melania Trump, duke e ftuar që të përdorë zërin e saj për të ndalur tragjedinë e fëmijëve në Gaza.
Në letrën e publikuar, Erdogan kujtoi mesazhin e dikurshëm të Melania-s drejtuar presidentit rus Vladimir Putin për jetimët ukrainas, duke e cilësuar atë si një gjest të dhembshur që preku shumë njerëz.
“Kjo dhembshuri duhet të shtrihet edhe për fëmijët palestinezë”, shkruan ajo, duke theksuar se Gaza është shndërruar “në një varrezë për fëmijët”.
Sipas Erdogan, më shumë se 62 mijë civilë kanë humbur jetën, prej të cilëve 18 mijë janë fëmijë.
Ajo i kërkon Zonjës së Parë amerikane të dërgojë një letër kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu, duke bërë thirrje për t’i dhënë fund krizës humanitare.
“Është tashmë tepër vonë për mijëra, por ende ka kohë për të shpëtuar mbi një milion të tjerë”, mbyll mesazhin Emine Erdogan.















