Kampionati kombëtar i basketbollit për femra vijoi dje me gjysmëfinalen e radhës. Në Pallatin e Sportit “Asllan Rusi”, Partizani mundi 86-83 Tiranën, duke eliminuar vajzat bardheblu në derbin e dytë. Fundi i ndeshjes ka prodhuar skena jo të denja në parket, me të dyja kampet që janë përfshirë në një sherr masiv, teksa nuk kanë munguar grushtat mes basketbollisteve.
Gjithçka ka ndodhur në pëfundimin e ndeshjes, kur Dishnica e Tiranës dhe Bannister e Partizanit nuk i kanë mbajtur nervat. Ka qenë basketbollistja e Partizanit që ka grushtuar Dishnicën, me këtë të fundit që ia ka kthyer me të njëjtën monedhë.
Në parket me pas kanë mësyrë edhe familjarët e lojtares së Tiranës, teksa edhe stafet dhe basketbollistet e dy kampeve janë përfshirë në të shtyra, grushta dhe rrëzime në parket. Pas shumë minutash kaos, situata është qetësuar, për të shënuar një ngjarje jo të hijshme në basketbollin e femrave të Shqipëri.