Dyshohet se për shkak të një mosmarrëveshje kosovari E.N., nga komuna e Drenasit me shtetësi të Zvicrës e ka hedhur nga dritarja e dhomës së hotelit të katit të gjashtë në Fushë Kosovë shtetasen argjentinase M.K.U. Viktima 27-vjeçe ka pësuar lëndime trupore dhe përkundër trajtimit në QKUK e njëjta ka vdekur.
Këto detaje i ka dhënë Gjykata Themelore e Prishtinës në njoftimin dërguar mediave, në të cilin bëhet e ditur se ndaj E.N., është caktuar masa e paraburgimit prej 1 muaji në drejtim të veprës penale “vrasje”.
“Ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri E.N me datë 01.08.2023 rreth orës 01:59 minuta në rrugën “ Nënë Terezë” në Fushë Kosovë, pas një mosmarrveshje paraprake me të dëmtuarën – tani të ndjerën M.K.U, të njëjtën e privoj nga jeta duke e hudhur nga dritarja e dhomës së hotelit, nga kati gjashtë, me ç’rast e ndjera kishte pësuar lëndime trupore, e që edhe përkundër trajtimit mjekësor e njëjta kishte ndërruar jetë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës ( QKUK)”, njofton gjykata, transmeton Gazeta Express.
Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda ka vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prshtinë, për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit E.N, i dyshuar për veprën penale Vrasje nga neni 172 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
“Gjyqtari i procedurës paraprake ka aprovuar si të bazuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit E.N dhe të njëjtit i ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 (një) muaji”, njofton gjyakata.
Në njoftim thuhet se gjyqtari i procedurës paraprake ka analizuar të gjitha arsyet mbi caktimin e paraburgimit kundër të pandehurit E.N dhe ka vlerësuar se është përmbushur kriteri nga neni nenit 184 paragrafi 1 nënparagrafi 1.1 dhe 1.2, pika 1.2.1, 1.2.2 dhe 1.2.3 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, si kusht i veçantë për caktimin e paraburgimit.
“Nngase ekzistojnë rrethana të cilat tregojnë rrezikun e ikjes së të pandehurit, pasi që i njëjti është shtetas i Zvicrës dhe nëse i pandehuri gjendet në liri i njëjti do të mund të ik me qëllim të fshehjes dhe ikjes nga përgjegjësia penale dhe do të ishte i paarritshëm për organet e ndjekjes, e në këtë mënyrë do të pengohej rrjedha e procedurës penale, andaj konstatoi së masa e paraburgimit në këtë fazë të procedurës penale është e vetmja masë për rrjedhjen e pa penguar të procedurës penale në këtë çështje juridiko – penale”.
Kundër këtij aktvendimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë.