Milorad Dodik ka deklaruar se nuk do ta njohë vendimin që ia heq mandatin si president i Republikës Serbe, duke theksuar se do të vazhdojë të veprojë si udhëheqës i këtij entiteti të Bosnjë dhe Hercegovinës.
“Nuk do ta pranoj këtë vendim. Do t’i qëndroj besnik vullnetit të popullit serb. Ju jeni sjellë me arrogancë dhe prisni që unë të nënshtrohem. Kjo nuk do të ndodhë. Unë mbetem president i Republikës Serbe – shkruani çfarë të doni. Jam zgjedhur nga populli dhe nuk do të zëvendësohem nga ndonjë administratë e huaj”, u shpreh Dodik.
Ai gjithashtu akuzoi autoritetet që morën këtë vendim për shkelje të Kushtetutës së Bosnjës e Hercegovinës, si dhe asaj të Republikës Serbe, duke shtuar se mungesa e tyre e respektit do të merret parasysh. “Ju keni rrugën tuaj, ne do të ndjekim tonën. Uroj që ato të mos takohen,” përfundoi ai.
Vendimi për largimin e tij nga posti erdhi pasi Dhoma e Apelit e Gjykatës së Bosnjës dhe Hercegovinës rrëzoi ankesën e bërë nga Dodiku kundër Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (CIK), që më herët kishte vendosur për t’i hequr mandatin.
Me këtë vendim të Gjykatës, Milorad Dodik zyrtarisht nuk e mban më funksionin e presidentit të Republikës Serbe.