Ish-kryeministri Sali Berisha nuk ka humbur kohë pasi njoftoi se kishte hapur një Podcast dhe ka publikuar videon e parë në “Youtube”.
Episodi i parë i podcastit të titulluar “Përtej Politikës”, nisi me njërrëfim nga fëmijëria e Berishës. Në të ai tregon për vendin ku ka lindur dhe adhurimin që kishte për xhaxhanë e tij.
Kujtojmë që Berisha njoftoi dje se ai gjithashtu kishte hapur një Podcast, pasi kryeministri Edi Rama kishte bërë njoftimin e tij pak ditë më herët.
Me sa duket nga pamjet podcasti në fjalë duket se është realizuar rreth muajit dhjetor, pasi në sfond është pema e Vitit të Ri, ndërsa Berisha mban syze, pasi u sulmua nëprotestën e opozitës ditën që në Tiranë mbahej samiti i BE me Ballkanin Perëndimor.
“Këtë formë komunikimi kam menduar që ta filloj me aspekte për të cilat nuk kam folur ndonjëherë konkretisht me fëmijërinë time më të hershme. Pra të kthehem tek ABC-ja ime. Mbresa e viteve më të para të jetës, parashkollorit, unë kam lindur në fshatin Viçidol. Në Kodrën e Prifçit, fshati është një luginë e bukur dhe dominohet nga kjo kodër mbi të cilën nuk ka shtëpi të tjera, por ka një horizont të gjerë, hapet një pamje madhështore e luginës së Tropojës nga të gjitha anët e saj. Kam lindur më 15 tetor të vitit 1944. Memoria ime fillon rreth moshës 3-vjeçare ose të themi është e konsoliduar që atëherë. Hapat e para, fjalët e para i kam shqiptuar në një “kullë”. Kulla është një ndërtesë 150-vjeçare e djegur dhe e rindërtuar disa herë. Natyrisht ka pësuar ndryshimet e veta.
Mbresat ishin 2; muret e saj të trasha, në fëmijëri ato duken shumë të trasha. Në katin e parë ishin rreth 1 metër; fugat rreth gurëve që murin e jashtëm e shndërronin në një mozaik. Kjo kullë pas djegies së fundit kishte zbadhuar dhe dritaret. Fëmijëria, vitet e para janë në një familje strikt patriarkale.
Përveç babës, Ramë Halili dhe nënës Sheqere Shpendi kishte motrën dhe një vëlla tjetër më të madh se veten. Jetonim së bashku me xhaxhanë, axhën tim Zeqir Halilin, i cili ishte dhe i zoti i shtëpisë. Fëmijët e axhës ishin njësoj si vëllezër dhe motra. Ishin të mrekullueshëm. Shtëpitë në një kullë i kishim dhe me familjarët e kushërinjtë e parë, të cilët kur linda unë ishin ndarë. Por ishte një ndarje formale. Në këtë kontekst një familje e tillë sado sot të duket arkaike, ka shumë dashuri, gjallëri. Askënd nuk kisha më të adhuruar se xhaxhain tim, i cili menaxhonte familjen, pronat, aktivitetet me një aftësi të admirueshme dhe ishte padiskutim për të gjithë familjen, njeriu më i dashur dhe i respektuar. Zeqir Halili. Ai ishte një shenjtar që këpuste cigaren në dysh.
Ishte një kalorës shumë i veçantë, kali i tij kushtonte me një diferencë që ka Lamborgini dhe me një makinë të zakonshme. Ai vishej bukur me kostume malësori dhe në çdo 5 javë ata bënin qitje. Në qitje mendoj se nga mosha 5-vjeçare na kanë marrë dhe ne fëmijëve, kryesisht djemve, por dhe vajzat që donin. Për djemtë ishte e detyruar, do shkojnë të provojnë qitje. Qitja, të jepej një fishek për fëmijët dhe në rast se afrohej, i afroheshe shenjës pra; kishe të drejtë ose përfitoje dhe një fishek të dytë, më shumë se kaq jo. Pra kulla, qitja, i jepnin një lloj karakteri të veçantë, një lloj dimensioni, si të themi lehtësisht luftarak apo ushtarak fëmijës që në fillim”, thotë Berisha.